Zhvati pacientët e sëmurë me Covid-19, gjykata liron nga qelia Tire Alldervishin

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 vite burg Tire Alldervishin, sanitaren e cila u zhvaste para pacientëve te ‘Shefqet Ndroqi’ gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19.

Por duke qenë se ekzekutimi i këtij dënimi ka filluar që nga dita që është arrestuar, 12 janar 2021, togat e zeza urdhëruan pezullimin e dënimit me burg për 11 muajt e mbetur.

Ajo do të jetë në shërbim prove për 22 muaj me kusht që gjatë kohës së provës, të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Ndërkohë të pafajshëm janë shpallur infermierët, Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj e Rukije Hoxhaj.

Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata, bazuar në nenin 143/1 i Kodit Penal, nenet 375, 379, 384, 388/1/b  të K.Pr.Penale,
V E N D O S I :
1.    Ndryshimin e cilësimit ligjor të faktit penal në ngarkim të të pandehurës T. A., dhe deklarimin e saj fajtore për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/1 i K. Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 4 (katër) vjet  burgim. 
2.    Ekzekutimi i këtij dënimi fillon ditën e ndalimit të saj, kryer në datën 12.01.2021, për llogari të këtij proçedimi penal.
3.    Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur të pavuajtur të këtij dënimi penal (konkretisht prej 11 muaj),  dhe vënien e të pandehurës, në provë për një periudhë prej 22 muajsh, me kusht që gjatë kohës së provës, e pandehura të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
4.    Në aplikim të nenit 60/9 të K.Penal, urdhërohet e pandehura, të mos shoqërohet me persona të dënuar.
5.    Në zbatim të nenit 61 i K. Penal, e pandehura detyrohet të mbajë kontakte të vazhdueshme dhe sistematike me Zyrën e Shërbimit të Provës, duke zbatuar kushtet dhe detyrimet e caktuara nga Gjykata. 
6.    Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, e pandehura detyrohet të marrë pëlqimin e zyrës së shërbimit të provës për ndryshimin e vendbanimit, për lëvizjet jashtë vendit, si dhe ato të shpeshta brenda vendit.
7.    Afati i provës fillon nga e nesërmja që ky vendim të marrë formë të prerë.  
8.    Një kopje e këtij vendimi i komunikohet zyrtarisht menjëherë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe Zyrës së Shërbimit të Provës, Tiranë.

9.    Deklarimin e pafajshme për të pandehurën M. B., për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 të K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” ,  parashikuar nga neni 248 e 25  i K.Penal.  
10.    Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Sh. K., për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 të K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” ,  parashikuar nga neni 248 e 25  i K.Penal.  
11.    Deklarimin e pafajshme për të pandehurën S. Ç., për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 te K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” ,  parashikuar nga neni 248 e 25  i K.Penal.  

12.    Deklarimin e pafajshme për të pandehurën E. J., për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 të K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” ,  parashikuar nga neni 248 e 25  i K.Penal.  

13.    Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Gj. H., për veprën penale të “Mashtrimit”  të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 te K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”,   parashikuar nga neni 248 e 25  i K.Penal.  

14.    Deklarimin e pafajshme për të pandehurën R. H., për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 te K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” ,  parashikuar nga neni 248 e 25  i K.Penal.  

15.    Shpenzimet proçedurale gjatë fazës së hetimit dhe ato gjyqësore vihen pjesërisht në ngarkim të të pandehurës T.A., dhe pjesërisht në ngarkim të organit të prokurorisë.

16.    Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi të arsyetuar.

17.    U shpall, sot në Tiranë, në datë 27.12.2024.