Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë pas 5 orësh ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku është pyetur në lidhje me hetimin pasuror që ka nisur ndaj tij. Veliaj u paraqit për herë të dytë në SPAK mëngjesin e kësaj të enjteje dhe pasi përfundoi dëshminë e tij shmangu gazetaret duke mos iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe iu drejtua me shpejtësi makinës që e priste jashtë. Ai tha se do të flas në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Gjatë kohës që Veliaj ndodhej në SPAK, një grup qytetarësh protestuan jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme. “O Hajdut”, dëgjohen duke thënë teksa Veliaj doli pas 5 orësh nga ambientet e SPAK.
Kujtojmë se vetëm tre ditë më parë, SPAK mori në pyetje edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila po si Veliaj, pas tre orësh në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nuk u ndal që të fliste me gazetarët.
Më datë 6 dhjetor, agjentët e BKH shkuan për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij. Kontrolle pati edhe në qendrën “Harabel”, ku Ajola Xoxa është bashkëthemeluese.
Po ashtu agjentët e BKH kryen kontrolle edhe në banesën e vëllait të Erion Veliajt. Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve, por u rrëzuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit.