Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti në darkën tradicionale të fundvitit Trupën Diplomatike të shteteve të huaja të akredituar në Shqipëri, në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Ai e vuri theksin tek objektivi kryesor i Shqipërisë, që sipas tij është integrimi në BE brenda vitit 2030.
“Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”, tha ai.
Duke folur para ndërkombëtarëve, kryeministri Edi Rama e vuri theksin tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do mbahen më 11 maj 2025.
Ai vuri në dukje vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe liritë individuale, ndërsa dukej se me këtë “zbutje fjalori” po u jepte fjalën ndërkombëtarëve se zgjedhjet e ardhshme do jenë të lira dhe sipas standardeve që kërkon Perëndimi.
“Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do te zene shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë”, theksoi ai.