Në pritje të marrjes së presidencës në 20 janar nga Donald Trump, pallati i tij hispano-moresk është shndërruar në qendrën e pushtetit, duke tërhequr oborrtarë të etur, biznesmenë dhe të mëdhenjtë e botës, në një përzierje të çuditshme mes biznesit dhe politikës
Nouvel Observateur/ Perktheu T. Çela, Lapsi.al
Çdo natë zhvillohet rituali i të njëtit cirk. Donald dhe Melania Trump bëjnë hyrjen e tyre madhështore në sallë rreth orës 19:30, nën duarrokitjet e të ftuarve që qëndrojnë në këmbë dhe këndojnë “U-S-A, U-S-A”. Pasi mbreti ulet, fillojnë të serviren arragostat me perime të gatuara. Biznesi mund të fillojë.
Që nga zgjedhja e republikanit, më 5 nëntor, pallati ekstravagant i Mar-a-Lago, në Palm Beach, Florida, është pushtuar nga oborrtarë, miliarderë, krerë shtetesh, kandidatë për administratën e ardhshme…
Një faunë eklektike që kërkon, nën shkëlqimin e llampadarëve kitsch, të ndikojë në politikat e mandatit të dytë presidencial të Trump.
Nën harkun e kuq të pallatit stil rococo shihen të kalojnë edhe anëtarët të ekipit të tij të ardhshëm – drejtoresha e re e inteligjencës, Tulsi Gabbard, sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr, po ashtu si edhe të njohur të vjetër të galaksisë trumpiste, si gazetari konservator Tucker Carlson apo presidenti argjentinas Javier Milei. Aty nuk mungojnë as pronari i Meta, Mark Zuckerberg, kryeministri kanadez Justin Trudeau, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, prezantuesit e talk-show “Morning Joe”, në MSNBC. Pa harruar Elon Musk, i cili tani mund të quhet pa frikë miku i ri i Trumpit, i cili ka një vend fiks në krye të tavolinës. “Nuk arrij ta nxjerr dot nga këtu,” bën shaka i zoti i shtëpisë. Bosi i Tesla dhe X-it është në çdo darkë, në çdo foto, dhe ka të drejtën të vendosë muzikën e tij të preferuar, “Space Oddity”, nga David Bowie, sa herë që hyn në sallon. Nga tavolina ku është ulur, Trump përzgjedh muzikën e nga iPad-i i tij, për të kaluar nga “YMCA” e Village People tek “Ave Maria” e Pavarottit. Nën hijen e palmave, Donald J. Trump shndërrohet në DJ Trump dhe anasjelltas.
Rezidenca e tij në Mar-a-Lago, e përkthyer literalisht “nga deti në liqen”, është një zonë e bekuar nga natyra, e vendosur mbi një copëz toke që ndan Oqeanin Atlantik nga laguna e Lake Worth, e cila shërben njëkohësisht edhe si vend luksoz për pushime dhe si seli ku argëtimi dhe politika ndërthuren.
Trump po e piloton rikthimin e vet në pushtet nga ky pallat hispano-mauresk, me 114 dhoma të dekoruara me gjethe ari, mure prej guri të ardhur nga Xhenova, qilima flamandë të shekullit të 16-të, 36,000 pllaka qeramike spanjolle të shekullit të 15-të dhe 204 metra katrorë mermer të zi dhe të bardhë, të marra nga një kështjellë e vjetër kubaneze. Këtu ai nisi fushatën e tij, festoi fitoren dhe po përgatit presidencën e dytë.
Katër vjet pas përfundimit të mandatit të parë, pushteti është zhvendosur përsëri nën llambat e “Shtëpisë së Bardhë dimërore”, siç e quan ai këtë Versajë amerikane, të cilën e ka bërë rezidencën kryesore që prej vitit 2019, për të qenë, siç thotë ai, “aq afër parajsës sa është e mundshme të jem”. Ndërsa Joe Biden është ende në detyrë deri më 20 janar, Palm Beach është bërë një qendër rivale e pushtetit politik.
Qen robotë dhe roje të armatosur
Lojtari i golfit nga Florida po realizon kështu ëndrrën e Marjorie Merriweather Post, e cila ndërtoi këtë pallat monumental në vitet 1920. Pas vdekjes së saj në 1973, trashëgimtarja e pasur e kompanisë Postum Cereal ia dhuroi këtë parajsë ekscentrike qeverisë amerikane, për ta përdorur si një rezidencë dimërore për presidentët. Por, shteti e vlerësoi ndërtimin, i cili ishte shpallur monument historik kombëtar, si shumë të shtrenjtë për t’u mirëmbajtur. Ai e nxori në shitje në vitin 1981, për 25 milionë dollarë. Trump donte ta blente, por jo për këtë çmim, që i dukej i shtrenjtë. Prandaj me stilin e vet të njohur, ai bleu parcelën që ndodhet përpara dhe kërcënoi se do të bllokonte pamjen nga deti… Manipulimi pati sukses: biznesmeni me flokët e verdhë e bleu atë pronë, në vitin 1985, për një çmim tre herë më të lirë, për 8 milionë dollarë. Sot, indeksi Bloomberg Billionaires e vlerëson atë në 250 milionë dollarë!
Por banorët e pasur të zonës nuk e pëlqyen shumë ardhjen e këtij New-yorkezi që synoi të shpërfillë zakonet lokale duke e shndërruar domenin e tij në një klub privat të vërtetë – 500 anëtarë sot, për një pagesë vjetore prej 20,000 eurosh – që madje kërkoi zhvendosjen e aeroportit për të mos u shqetësuar nga avionët. “Elita shoqërore e Palm Beach e ka konsideruar Trump si një pushtues vulgar kur ai mbërriti në ishull,” tregon Laurence Leamer në artikullin e përkthyer nga Lapsi.al. Autorja e librit “Mar-a-Lago. Inside the Gates of Poëer at Donald Trump’s Presidential Palace”, shikon në këtë episod farën e zemërimit të presidentit të ardhshëm ndaj elitave të trashëguara: “Një pjesë e madhe e përbuzjes së Donald Trump ndaj asaj që ai e konsideron si establishmentin politik të rrënjosur, ka origjinën nga kjo eksperiencë.”
Trump ka realizuar tashmë hakmarrjen e tij, duke tërhequr të gjithë parinë e Floridës – këtij shteti konfederalist gjatë Luftës së Civile që është njëkohësisht bastion ultrakonservator – madje, në këtë pallat që pasqyron egon e tij të fryrë, madhështore dhe ekzibicioniste, ai ka mbledhur shumë më tepër se milionerët e asaj zone. Ai e ka transformuar bibliotekën e vjetër ku ruheshin libra të rrallë në një bar të dekoruar me portretin e tij, ku pozon i veshur krejtësisht në të bardha, si lojtar tenisi. Prej aty shërbehen gatime me emrin e tij si “Trump chocolate cake”…
Një atmosferë drithëruese mbizotëron sot në këtë epiqendër të tranzicionit politik. Turistë të shumtë shihen mbi urën që të çon drejt ishullit. Fansa me kapelë MAGA (për “Make America Great Again”, slogani i tij që është shndërruar në markë) qëndrojnë gjithmonë të vendosur në parkingun përballë rezidencës. Gazetarët kalojnë ditë e natë përreth, duke kërkuar një imazh, një informacion. Hotelet janë të gjitha të mbushura. Ndryshe nga periudha para presidencës së vitit 2016, kur kandidatët për pushtetin e ardhshëm u panë të parakalonin përballë kamerave të vendosura në hollin e Trump Tower në New York, në stilin e programit “The Apprentice”, një emision që e bëri Trumpin të famshëm, këtë herë gjithçka po ndodh pas mureve të kuqe të pallatit në Palm Beach.
Mar-a-Lago është i mbikëqyrur nga qen robotë dhe roje të armatosura që qëndrojnë në anijeve, si dhe agjentë të padukshëm të shërbimeve sekrete që u shtuan pas dy tentativave për vrasje gjatë fushatës.
Por gjithësesi është e vështirë ta shëndërosh në hermetik, një klub me 500 anëtarë që vijojnë të hyjnë dhe të dalin dhe ku ende festohen dasma, gala dhe festa private që tërheqin një turmë të madhe të ftuarish.
Që nga 5 nëntori, përveç disa shkëputjeve të shkurtra, – si udhëtimi i tij i parë jashtë vendit në Paris, për të asistuar në rihapjen e Notre-Dame-, mbreti me flokët e oksigjenuara e kalon kohën në Versajën e vet me gjethe të arta, duke shijuar kënaqësinë oborrtarëve që përpiqen të marrin vëmendjen e tij.
Të ftuarit në gatishmëri
Kur nuk ndodhet në sallonin e çajit duke shikuar në ekranet gjigande paraqitjet televizive të kandidatëve për ekipin e tij të ardhshëm, të cilët kanë vetëm dy kushte për të përparuar në karrierrë: besnikërinë dhe performancën nëpër emisione TV, ai ndalon nëpër korridore për të shtrënguar duar me anëtarët e klubit të vet privat dhe të ftuarit e tyre.
Imazhet e fiksuara nga mysafirët e përqëndruar kanë bërë namin në rrjetet sociale. Aty shohim Trump-in duke lodruar në ritmin e “YMCA” me Elon Musk, ose duke ngrënë me Justin Trudeau, i cili mori rrugën që ta bindë për të mos vendosur tarifa doganore ndaj Kanadasë.
Aty shfaqet bosi i Tesla-s në një makinë golfi, ose Robert F. Kennedy Jr. duke bërë fotografi me fansat. Të duket sikur këto filmime të kthejnë në shkurt 2017, kur lojtarët e golfit në Mar-a-Lago panë presidentin, gjatë një darke me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, që mblodhi bashkëpunëtorët e tij për të hartuar një përgjigje ndaj Koresë së Veriut, e cila sapo kishte lëshuar një raketë balistike. Kjo përzierje e llojeve, mes argëtimit dhe politikës është bërë marka e veçantë, e atij që gjithmonë e ka konsideruar punët e veta si një çështje familjare. “Nuk dua ta kthej Mar-a-Lago një vend vetëm për politikë,” ka pranuar ai. Në vitin 2016, ai madje rekrutoi në administratë antarë nga klubi privat, ashtu siç ndodhi me Wilbur Ross, që u emërua sekretar i Tregtisë.
Kjo mungesë kufijsh midis botës së biznesit dhe presidencës u kritikua që në vitin 2017. “Shtëpia juaj e Bardhë e dimrit do të ofrojë një vëmendje më të madhe për ata që mund ta përballojnë çmimin e antarësimit, pa përmendur rritjen e vazhdueshme të parave që do hyjnë në organizatën tuaj familjare. Në vend që ta thani kënetën [nofka që Trump i ka ngjitur burokracisë amerikane), duket se ju po e çoni Uashingtonin direkt në kënetën e Mar-a-Lago,” i patën thënë dy senatorë demokratë citohet në artikullin e përkthyer nga Lapsi.al .
Ky fakt është sot më i vërtetë se kurrë. Pallati i Palm Beach është bërë një vendi me ndikimin politik më të pazakontë në historinë amerikane. Ndër anëtarët që paguajnë për të qenë pjesë e klubit janë zhvilluesit e pasurive të paluajtshme, financierët e Wall Street, dhe të tjerë profesionistë të fuqishëm të energjisë, të cilët janë në pozitat më të favorshme për të ndikuar që Trump të prekë aktivitetet e tyre. Kjo dhomë dëgjimi i jep presidentit të ardhshëm një avantazh të dyfishtë: ai kënaqet nga devotshmëria e pakufizuar e bashkëbiseduesve dhe gjithashtu mbush xhepat. Kur ai nisi fushatën presidenciale në vitin 2015, ai u kërkonte një tarifë hyrëse prej 100,000 dollarësh anëtarëve të rinj. Pasi fitoi pushtetin, ai i dyfishoi tarifat e hyrjes dhe i rriti ato deri në 700,000 dollarë në fund të mandatit të tij të parë. Katër kartat e fundit të antarësimit që kanë mbetur tani të lira kushtojnë secila nga 1 milionë USD, pa llogaritur këtu 20 mijë dollarët e kuotës së përvitshme.
Përveç golfit, dy pishinave, spa-së, fushave të tenisit, kroketit dhe plazhit, anëtarët kanë akses në rreth 30 dhoma akomodimi që kushtojnë mbi 1,000 dollarë nata.
Dokumente të ruajtura paligjshmërisht
Këtyre të ardhura astronomike u shtohen fitimet nga mbledhjet e fondeve dhe ngjarjet e tjera politike që shoqërojnë kalendarin e këtij vendi të pushimeve të arta. Dhjetë ditë pas zgjedhjeve presidenciale, Konferenca e Veprimit Politik Konservator mbajti galanë e saj të investitorëve, duke i çuar të ftuarit me traget para palmave të ndriçuara nga zbukurimet e Krishtlindjeve.
Pas kësaj, Instituti i Politikës “America First”, një grup mendimi i djathtë, organizoi një darkë, me Sylvester Stallone si yll të mbrëmjes. Nga janari 2021 deri në mars 2024, fushata e Trump, kandidatët republikanë dhe komitetet politike kishin futur në xhepat e Mar-a-Lago më shumë se 4.7 milionë dollarë. Vetëm në vitin 2022, fitimet e klubit arritën në 22 milionë dollarë, ndërkohë që drejtuesi i tij po kalonte nga një skandal në tjetrin, i trajtuar më shumë si një bandit se sa një kandidat i ardhshëm për president.
Sigurisht, Donald Trump nuk është presidenti i vetëm që tërhiqet për tu strehuar në një ambient luksoz të rrethuar nga burra të pasur biznesi. “Pothuajse të gjithë presidentët kanë pasur një pikë që është shndërruar në qendër e vëmendjeje gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit,” kujton politologu Steven Smith në artikullin e përkthyer nga Lapsi.al. Familja Bush kishte vilën e saj në Kennebunkport, Maine; Kennedy-t kishin kompleksin e tyre familjar në Hyannis Port, Massachusetts; dhe Dwight Eisenhoëwer kishte shkuar në klubin e njohur të golfit Augusta, në Gjeorgji. “Ajo që e bën Mar-a-Lago një rast unik është se një president i zgjedhur ka si shtëpi një pallat që është gjithashtu një klub privat.”
Por nuk është vetëm Mar-a-Lago. “Gjatë mandatit të tij të parë, shumë njerëz qëndronin në hotelin e tij që ndodhej shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, për të bërë punë me të ose për të fituar favore prej tij”, vëren politologu Stephen Farnsworth, në artikullin e përkthyer nga Lapsi.al”. Ai i përdor bizneset e tij për qëllime politike, duke shpërblyer ata që e paguajnë për të pasur akses të privilegjuar te ai. Në të vërtetë, Trump është një president transaksional. Ky fenomen është etiketuar nga historiani Jon Meacham si “komercializimi i presidencës”. Më 14 nëntor, para mysafirëve të tij të mbledhur nga Instituti i Politikës “America First” në pallatin e tij, ai premtoi se mandati i tij i dytë do të hapte një epokë të “begatie” dhe “luksi të vërtetë”… Ai ëndërron ta kthejë Amerikën në një Mar-a-Lago gjigand, në një parajsë për të pasurit.