Deri pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama deklaronte se vota e emigrantëve nuk mund të bëhej e mundur për shkak të mungesës së një databaze të dhënash, pavarësisht se prej vitesh e premtonte në çdo takim me shqiptarët jashtë vendit.
Por, në pak kohë gjithçka ndryshoi. Partia Socialiste me urdhër të Ramës filloi bisedimet me opozitën që të bëhej e mundur vota e Diasporës në zgjedhjet e vitit 2025, duke hartuar një draft dhe duke i lënë KQZ-së kohë të limituar dhe gjithë përgjegjësinë për këtë çështje.
Pas gjetjes së marrëveshjes me Partinë Demokratike, me këta të fundit që duket se nuk i kanë bërë llogaritjet mirë, kundërshtimi erdhi vetëm nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili tha se koha ishte e shkurtër dhe e pamjaftueshme për të bërë të mundur votën e Diasporës.
Por, kur urdhri jepet nga vetë kryeministri, asgjë nuk mund të jetë e pamundur.
Emigrantët do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por përse këmbënguli Rama për votën e Diasporës?
Nëse PS merr një vendim, është e qartë që i ka bërë mirë të gjitha përllogaritjet. Edhe në këtë rast, Rama dhe ekspertët e tij e dinë mirë se PS është shumë herë më e avantazhuar, duke bërë që në vitin 2025 të ketë mundësi të marrë një rezultat më të thellë.
Partia Socialiste ka nisur punën për krijimin e një databaze të emigrantëve, teksa ka vënë në punë edhe administratën shtetërore, ku disa si patronazhistë me punë vullnetare dhe disa të tjerë nën presion, kanë mbushur fletët me emrat e kontaktet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Synimi i Ramës është i qartë dhe ua ka bërë të ditur vartësve të tij: mandati i katërt me 84+ mandate dhe të paktën 800 mijë vota nga Diaspora!
A është i mundur? Sigurisht që po, duke përdorur mundësitë ekonomike që ka pushteti dhe përdorimin e administratës në zgjedhje.
Por, PS jo vetëm që ka llogaritur se vota e Diasporës do ta ndihmojë për të marrë mandatin e katërt, por ka llogaritur se kjo votë do të jetë një ndihmë e mirë për të “hequr qafe” ata që po bëjnë opozitën e vërtetë në Shqipëri, partitë e reja.
Liderët e këtyre partive janë ata që po përmendin me emra oligarkët dhe ministrat që po grabisin paratë e buxhetit të shtetit, emra që deri pak vite më parë as nuk përmendeshin në ndonjë denoncim.
Por si i dëmton vota e Diasporës partitë e reja?
Asnjë nga partitë e reja nuk ka mundësitë ekonomike që ka PS apo PD, pavarësisht besimit të madh që kanë krijuar te qytetarët, çfarë do të thotë se e kanë pothuajse të pamundur të bëjnë organizime të mëdha me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, që përkthehet në shumë më pak mundësi për emigrantët që të njihen me programet e këtyre partive.
Ndërkohë, vota e emigrantëve që logjikisht do të shkojë në pjesën dërrmuese te partitë e mëdha, do të rrisë edhe numrin e përgjithshëm të votave të hedhura në kutitë e votimit, që do të thotë se për një mandat do të duhen më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2021.
Nëse marrim shembull Tiranën, në vitin 2021 votuan pak më shumë se 460 mijë qytetarë për 36 mandate deputetësh, ndërkohë që pritet që numri i votave në kryeqytet në vitin 2025 pothuajse të dyfishohet.
Kjo do të thotë se nëse në Tiranë për 1 mandat duheshin rreth 13 mijë vota, në zgjedhjet e ardhshme do të duhen më shumë se 18 mijë. Me partitë e mëdha që arrijnë të sigurojnë qindra mijëra vota, e gjithë barra bie mbi partitë e reja, që duhet të marrin akoma më shumë vota për t’u bërë pjesë e Parlamentit.
Pas heqjes së koalicioneve, vota e Diasporës duket se është lëvizja e radhës e Ramës për të “zhdukur” partitë e reja dhe ato të vogla, për ta kthyer Parlamentin në dy-partiak, ku ai të ketë shumicën dhe të miratojë të gjitha ligjet që nxjerr qeveria.
Emigrantët kanë të drejtë dhe duhet të votojnë, por me këtë sistem zgjedhor dhe me forcën që ka pushteti aktual, vota e tyre mund të kthehet në një shkop magjik për Ramën në goditjen edhe më shumë të demokracisë dhe pluralizmit politik në vend.