“Sa më shumë ta thuash një gënjeshtër, aq më shumë do ta besojë populli!” Kështu shprehej diktatori nazist Adolf Hitler gjatë sundimit të tij në Gjermani, pro këto fjalë duket se kanë mbetur mjaft mirë edhe në mendjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Prej më shumë se tre javësh, në podcastin e tij propagandistik “Flasim”, ku thirren njerëz sipas interesit dhe tregojnë se sa mirë është të jetosh në Shqipëri, kreu i qeverisë po propagandon jetesën e vështirë në Britani, ku qytetarëve u duhet të bëjnë nga dy punë për të jetuar, teksa qante edhe hallin e punëtorëve se nuk kishin kohë ta kalonin me familjen e tyre.
Jetesa e vështirë në Britani është bërë tashmë edhe hall i Ramës, ndërsa jetesa në Shqipëri, është hall i shqiptarëve.
Por, nëse në Britani duhen dy punë për të jetuar, në Shqipëri mjafton 1 për të ikur! Kjo, sepse rrogat janë shumë më të ulëta në krahasim me çmimet që rriten çdo ditë apo me paratë që paguhen për ilaçet që nuk mund t’i sigurojë spitali.
Kjo vlen për shqiptarët e thjeshtë, pasi për Ramën dhe ministrat, deputetët, drejtorët e oligarkët që mban pas vetes, dreka e Surrelit u duket edhe më e lirë se mëngjesi në Londër.
Nëse Rama e quan të vështirë jetesën në Britani, si mund ta quajë jetesën e një pensionisti me 120 mijë lekë të vjetra pension? Po jetesën e një familje me ndihmë ekonomike që merr 60 mijë lekë të vjetra? Po jeteën e atij që merr pension invalidi?
Nëse në Britani jetesa është e vështirë, në Shqipëri është e pamundur!
Të flasësh nga kolltuku i rehatshëm i Surrelit është shumë e thjesht, mund të propagandosh gjithë ditën, por realitetin e thonë vetëm ata që flasin nga dyshemeja e lagur nga shiu që pikon nga çatia e prishur.
Ka 12 vite që propaganda e qeverisë ka ardhur vetëm në rritje, aq sa disa herë ministrat i besojnë edhe vetë përrallat që lexojnë në Kuvend, të shkruara nga patronazhistët propagandues.
Për Ramën, në Shqipëri gjithçka po shkon siç duhet, vetëm se duhet të keni shumë imagjinatë për ta besuar!