TIRANË- Kryetari i Partisë ‘Mundësia”, Agron Shehaj, u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, falë mbështetjes dhe besimit të qytetarëve do arrijnë të krijojnë një grup të mirë në Parlamentin e Shqipërisë.
I pranishëm në inaugurimin e degës 9 në Tiranë, Shehaj tha se partia Mundësia do t’i japë Shqipërisë atë që nuk e ka patur ndonjëherë: një qeveri të pakorruptuar.
“Pak nga pak, si fillim, në zgjedhjet e ardhshme do krijojmë një grup të mirë, të rëndësishëm në Parlament dhe një ditë mund të duket e pabesueshme, por ne një ditë do t’i japim Shqipërisë, atë që nuk ka patur kurrë: një qeveri të pakorruptuar, që krijon mundësi për të gjithë. Ky është qëllimi ynë, mos e harroni. Nuk e di se kur kjo do të ndodh, mund të ndodhi menjeherë, mund të ndodhi pak më vonë, por një ditë do t’ia dalim, që t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar. Unë nuk kam asnjë dyshim mbi këtë gjë”, tha ai.
Ai falënderoi mbështetësit dhe qytetarët shqiptarë, të cilët nga dita në ditë po shtojnë angazhimin e tyre në mbështetje të drejtpërdrejtë të Partisë Mundësia.
Shehaj shprehu bindjen e plotë se do t’ia dalin në betejën elektorale.
“Jam mirënjohës për këtë mbështetje. Na u desh shumë në fillim, që të përcillnim besimin që ne kemi në këtë që po bëjmë. Jam, shumë i lumtur, që ju jeni dëshmitarë të asaj që po bëjmë dhe mund të tregoni se si e kemi filluar dhe se si pak nga pak, kemi arritur, kemi bërë një pjesë, sigurisht kemi shumë për të bërë, nuk është e lehtë të hapësh dhe të krijosh degë në të gjithë Tiranën dhe pothuajse në të gjitha rrethet, është dashur punë, është dashur këmbëngulje dhe jam i bindur se ne do t’ja dalim, sepse pjesa më e rëndësishme që na bashkon të gjithëve, është se ne e dimë se për të arritur diçka në jetë duhet punë dhe këmbëngulje. Ne jemi njerëz që ia kemi dalë nga hiçi, kemi filluar pak e nga pak. Jemi të vetëdijshëm dhe jemi me këmbë në tokë, punën e bëjmë gradualisht, jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi optimistë, kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi të bindur që do t’ia dalim, por ne jemi absolutisht të sigurt që do t’ia dalim. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve; mos kini vetëm besim tek unë, tek grupi ynë dhe të lëvizja jonë, se ne nuk jemi të korruptuar, nuk jemi të shantazhueshëm, nuk jemi të kapur, por kini gjithashtu besim se do ia dalim. Jam i bindur se do ia dalim. Sepse po të kisha dyshimin me të vogël nuk do merresha me këtë punë”, tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit me mbështetësit, Shehaj premtoi se Partia Mundësia do të nisë në janar turin e takimeve me shqiptarët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nga janari, do fillojmë takime në Evropë dhe në SHBA. Në Itali po bëhemi gati nga fundi i janarit, akoma s’e kemi gati datën, por do ta kemi shumë shpejt dhe aty ju premtoj se do bëjmë një nga takimet më të jashtëzakonshme që janë bërë ndonjëhërë në Itali me shqiptarë e vërtetë të Diasporës, që vijnë në takim me vullnetin e tyre, sepse duan të vijnë në takim”, tha ai.
Gjatë diskutimit, Shehaj pohoi se Edi Rama ka futur duart tek partitë e tjera, ndërsa tha se Mundësia nuk pranon të bashkëpunojë me këto subjekte, të cilat nuk janë të vërteta dhe shpërdorojnë qartësisht besimin e shqiptarëve.
Më tej, Shehaj theksoi se Partia Mundësia nuk do të shpërdorojë asnjëherë besimin e qytetarëve dhe nuk do ulet për të bërë pazare politike me askënd.
Ai pohoi se ky nuk është qëllimi i Partisë Mundësia teksa shtoi se aleanca dhe besimi i saj është vetëm me qytetarët dhe mbështetësit e saj.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se ku jetojmë. Edi Rama të dashur miq, ka futur duart te partitë e reja. Është e sigurt që ka futur duart te partitë e reja. Unë nuk kam besim që aty janë të gjithë të vërtetë, përkundrazi, unë jam i bindur që aty nuk janë të gjithë të vërtetë dhe unë nuk mund të bashkohem me njerëz te të cilët nuk jam i bindur që ata janë të vërtëtë dhe kam shumë dyshime në fakt. Për sa kohë nuk jam 100 % i sigurt, nuk pranoj që gjithë këtë punë që bëjmë, gjithë këtë besim që kemi fituar nga qytetarët ta hedhim në kosh thjesht për të marrë ndonjë deputet më shumë, nuk është ky interesi ynë, ky është projekt afatgjatë. Zgjedhjet e ardhshme janë hapi i parë, por jo hapi përufndimtar. Për ne ka rëndësi t’u qëndrojmë bensik bindjeve tona dhe jo të ulemi dhe të bëjmë pazare për të marrë ndonjë deputet më shumë”, tha ai./ Ditar.al