Mesazh për Ramën? Pas kontrolleve të SPAK, Veliaj poston tigrin në facebook

Lajmi i kësaj të premteje 6 dhjetor, 2024 ishte padiskutim kontrolli në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, ku SPAK ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Jo vetëm kaq, por agjentët e BKH kanë shkuar edhe në ambientet e galerisë  ‘Harabel’ që ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku bashkëshorja e Veliajt figuron bashkëthemeluese.

Mësohet se telefoni i Ajola Xoxës është sekuestruar në kuadër të një hetimi pasuror të nisur disa muaj më parë nga prokurori Ols Dado.

Por teksa agjentët e Byrosë së Hetimit i shkuan në banesë Veliajt, ky i fundit nuk ndodhej në Shqipëri, por në Hamburg të Gjermanisë, ku po zhvillon disa vizita.

Por kryetari i Bashkisë Tiranë ka reaguar në rrjete sociale, që mesa duket ka një mesazh të koduar ndaj kryeministrit Edi Rama, me këtë të fundit që duket se po e sposton ditë pas dite Veliajn nga fushata zgjedhore në Tiranë, edhe pse pak kohë më parë e zgjodhi si një ndër tre drejtuesit politik të këtij qarku.

Veliaj në postimin e tij në Facebook ka postuar videon e një tigri nga kopshti Zoologjik i Tiranës, por në PS, me “tigër” etiketohej edhe ish-nr.2 i qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili është në kërkim në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Mos vallë Erion Veliaj ka dashur që nëpërmjet këtij postimi t’i dërgojë një mesazh kryeministrit Edi Rama? Që ndoshta edhe ai mund të kthehet në “tigrin” numër 2 të partisë nësë Rama e lëshon, njësoj si Ahmetajn, i cili doli publikisht me akuza të forta ndaj kryeministrit, që nga lidhjet me grupet kriminale e deri te aferrat korruptive, si inceneratorët.

Madje për median italiane, Ahmetaj bëri edhe një tjetër deklaratë të fortë kur tha se Edi Rama ka takuar krerët e mafias në zyrë.

“Grupet kriminale përfitojnë tendera përmes emrave fiktivë, riciklojnë para në ndërtim. Koordinohen me Edi Ramën”- deklaroi para pak muajve Ahmetaj për emisionin “Report” në Rai 3.

Kjo e premte nuk është aspak një ditë e bukur për kryebashkiakun Veliaj dhe familjarët e tij, por ndoshta ai po luan kartën më të fortë ndaj shefit të tij: Nëse më lëshon te SPAK, unë do të të kthehem kundër dhe do të flas!