Keqpërdormimi i aseteve shtetërore në zgjedhje evidentohet në çdo raport të OSBE ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, teksa këtë sëmundje që ndikon në procesin e tjetërsimit të votës, instancat nuk kanë ndërmend ta kurojnë.
Qëndresa Qytetare në kuadër të këtij fenomeni ka realizuar një anketim në 6 bashki të vendit me 720 qytetarë, të cilët kanë ndarë opinionet dhe vëzhgimet e tyre rreth sjelljes së zyrtarëve publikë, përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale dhe ndikimit të këtyre praktikave në rezultatin e zgjedhjeve.
Nga analizimi i të dhënave rezulton se një shumicë dërrmuese prej 78.1% të qytetarëve të anketuar pohojnë se zyrtarët publikë përdorin burimet shtetërore për qëllime elektorale. Vetëm një përqindje e vogël prej 14.3% janë të mendimit se kjo nuk ndodh, ndërsa një pjesë e vogël e qytetarëve të pyetur konkretisht 7.6%, nuk janë të sigurt për këtë çështje.
Kjo shifër konfirmon dhe njëherë përceptimin e gjerë që kanë shqiptarët për keqpërdorimin e burimeve shtetërore për përfitime elektorale.
Përdorimi i objekteve publike, si ndërtesat apo mjetet e institucioneve, për fushata elektorale është raportuar nga 54.3% e qytetareve të anketuar, ndërsa 44.9% kanë vërejtur përdorimin e infrastrukturës publike në funksion të fushatave elektorale, si nga partia që ka pushtetin qendror dhe nga forca politike që ka pushtetin lokal.
Ndërkohë nëse ndalemi tek impakti në rezultatin zgjedhor i përdorimit të aseteve publike një shumicë dërrmuese prej 84.5% e pjesëmarrësve besojnë se përdorimi i burimeve shtetërore ndikon në rezultatet e zgjedhjeve.
Nga analizimi i të dhënave, rezulton se godinat e shkollave dhe Universiteteve përdoren për takime elektorale dhe se punonjësi mbi administratën është i madh për të marrë pjesë në mitingje dhe votime.
Ndërkohë përdorimi i flotës makinave dhe investimeve publike si premtime të mbajtura elektorale është një tjetër fenomen që është mjaft i përhapur.
Një element që bie në sy është rënia drastike e numrit të gjobave të policisë bashkiake dhe rrugore në periudha zgjedhore. Edhe 56% e qytetarëve besojnë se në periudhën zgjedhore vendosen më pak gjoba.