Tradhëtonte uniformën dhe informonte për lëvizjet e policisë, si u shpërblye Dedan Gjoni nga grupi i Suel Çelës: E kapëm lirë

Detaje të reja janë mësuar lidhur me operacionin e SPAK në Elbasan ku u lëshuan 21 masa sigurie, për një grup kriminal, që drejtohej nga Suel Çela. Sipas SPAK pjesë e këtij grupi ishin edhe zyrtarë policie dhe ish-gjyqtar, mes tyre edhe Dedan Gjoni, në atë kohë zv/shef i komisariatit të Elbasanit.

Dedani Gjoni, i arrestuar më herët në kuadër të operacionit “Metamorfoza 2” i akuzuar për sigurimin e kushteve për vrasje, nga hetimet rezulton se informonte grupin e Suel Çelës për hetimet e policisë apo aksionet e saj.

Këto informacione i jepte në këmbim të dhuratave që ai merrte nga grupi kriminal. Përgjimet kanë zbuluar se Suel Çela i ka bërë Dedan Gjonit, dhuratë një makinë tip Mercedez B Class, pak kohë para atentatit të organizuar ndaj Ardjan Çapjas.

Një nga anëtarët e grupit të Çelës i thotë atij se i kanë gjetur një makinë të mirë dhe se e ka dhuratë, pasi e ‘kanë kapur lirë’.

Sipas SPAK, kjo organizatë kriminale në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, që drejtoheshin nga Marsel Shega (alias Bujar Shega).