Prindër dhe qytetarë kanë dalë në një marshim protestë këtë të mërkurë pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani, ngjarje e ndodhur më datë 18 Nëntor, pranë shkollës “Fan Noli”
Marshimi nisi nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, ku më herët ka patur thirrje dhe për dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu. Kjo ishte protesta e tretë që u zhvillua brenda pak ditësh, që pas vrasjes së Martin Canit nga bashkëmoshatari i tij, Mario Lleshi, ku prindër dhe qytetarë kërkojnë siguri në shkolla për fëmijët e tyre.
Ndërkohë njëri prej prindërve, i cili foli mes protestuesve të tjerë, propozoi që shkollës “Fan Noli” t’i vihet emri “Martin Cani” dhe në oborrin e saj të vendosjes shtatorja e 14-vjeçarit të vrarë.
“Martini nuk i përket vetëm familjes Cani, por është i yni dhe i gjithë shqiptarëve të ndershëm. Është hera e tretë që vij në këtë protestë për atë engjëll që e njoha nga ekrani dhe do vij deri në fund. Dy propozimet që kam, do doja të kishim përkrahjen e të gjithëve. Që sot e tutje emri i shkollës të zëvendësohet dhe shkolla të quhet ‘Martin Cani’. Dhe vetë Fan Noli të ishte gjallë do e pranonte. Në oborrin e shkollës të vendosim shtatoren prej bronzi të Martinit, për të përjetësuar Martinin”, tha prindi.