“Luftoi dhe fitoi”, Meta dhe Bardhi reagojnë pas lirimit të Berishës nga arresti i shtëpisë

Pasi GJKKO hoqi arrestin e shtëpisë ndaj kreut të PD, Sali Berisha, për dosjen “Partizani”, kanë ardhur reagimet e para nga bashkëpunëtorët e tij.

I pari që ka reaguar ka qenë ish-presidenti Ilir Meta, i cili nga burgu “313” teksa ka shprehur urimet më të përzemërta për lirimin e Berishës, nënvizon se desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare.

“Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës!

Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.

Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strasburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme.

Desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare”- shkruan Meta në reagimin e tij.

Ndërkohë ka reaguar edhe kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, i cili në një postim në rrjete sociale shkruan se revokimi nga GJKKO i masës së sigurisë është vendimi i duhur ligjor. Sipas Bardhit, në mënyrë antikushtetuese u pengua aktiviteti politik i liderit të opozitës.

“Revokimi nga GJKKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.

Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitojë”- shkruan Bardhi në postimin e tij.