Qeveria ka miratuar ditën e sotme aktin normativ për kthimin e kësteve të parapaguara të tatim-fitimit nga profesionistët e lirë.
Lajmin e bëri me dije ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se nga ky akt normativ përfitojnë 6450 tatim-pagues, të cilëve do t’i shpërndahen rreth 5 milionë euro.
“Ndoqëm rrugën ligjore duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar dhe për të na udhëzuar se çfarë duhet të bënim me efektet që prodhoi ky ligj nga momenti kur hyri në fuqi deri në momentin që u shfuqizua. Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh për këtë, duke na lenë të nënkuptohej që efektet e prodhuara nga ky ligj ishin legjitime”, deklaroi ministri.
Kujtojmë se profesionistët e lirë u detyruan të parapaguajnë këstet e tatim-fitimit, pasi kryeministri Rama shkeli mbi premtimin e tij se taksa për ata do të ishte 0.
Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzoi projektligjin e Ramës, duke i dhënë të drejtë profesionistëve të lirë që të vijojnë ta mos paguajnë taksë.
Ndërkohë, profesionistët e lirë rrezikojnë sërish që të paguajnë tatim-fitim, pasi qeveria është duke menduar një skemë tjetër që t’i bëjë ata të derdhin të ardhura në buxhetin e shtetit, por më pak se sa bizneset e tjera.