Gjykata e Posaçme ka liruar nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën.
Lideri i demokratëve qëndronte në “arrest shtëpie” prej 30 Dhjetorit të vitit të kaluar, pasi shkeli masën e parë të sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pas shumë ankimimesh dhe kërkesash për lirimin nga masa e sigurisë, sot GJKKO vendosi që të pranojë kërkesën e avokatëve të tij. Lajmin e bëri me dije avokati Genc Gjokutaj.
“Mbi bazën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën që nuk ka as kushte as kritere. Sot Berisha është është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij.
Nuk mund t’ju relatoj dosjen. Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë. Prokuroria kërkoi arrestin në shtëpi, por lirimi ishte kërkesa jonë. Kërkesa është bërë këtu pas vendimit të GJK. Qëndrimi i Strasburgut është determinant dhe ka një rol parësor në këtë punë. SPAK le të bëjë çfarë të dojë. Por duhet të ulë kokën sepse i ka hipur një kali për sprapthi”, tha Gjokutaj.
Akuzat ndaj 5 të pandehurve te dosjes Partizani:
Sali Berisha është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi, i akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Fatmir Bektashi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Xhimi Begeja, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Andia Pustina, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;