EPILOGU/ Protesta e opozitës nisi me përleshje fizike, Policia hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë

TIRANË- Protesta kombëtare e opozitës nisi me përplasje fizike. Protestuesit u përleshën me Policinë e Shtetit, e cila u ka bërë thirrje atyre të mos bllokojnë rrugën duke u kujtuar se po konsumojnë “vepër penale”.

Mbështëtësit e opozitës u tubuan në 5 nyje kyçe të Tiranës për të shprehur pakenqësitë e tyre për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

Në sheshin “Wilson”, Gazment Bardhi dhe Tedi Blushi u konfrontuan me efektivët e Policisë së Shtetit.  

“Iu kishim njoftuar për rrugët. Janë ushtarë të bandave që këta i kanë veshur me uniformë policie”, tha Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u shpreh se askush nuk mund ta bllokojë mosbindjen civile të opozitës.

“Askush nuk e ndalon dot mosbindjen civile të opozitës”, tha ai.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi pretendoi se policia ka marrë urdhër që të dhunohen deputetët e opozitës.

“Kanë marrë urdhër për të dhunuar opozitën, ta harrojnë që ne ikim nga ky shesh dhe nga sheshet e të gjithë Shqipërisë. Kjo është një betejë pa kthim deri në çmontimin e këtij regjimi kriminal që dhunon gra shtatzëna në protestë. A ka logjikë kjo? Të shkojnë të kapin autorët e masakrës në Shkodër, apo bandat në Elbasan. Do qëndrojmë edhe më shumë, ne kemi dalë për të protestuar dhe jo për të bërë xhiro në bulevard”, u shpreh Blushi.

Ndërkohë, Policia hodhi ujë me presion dhe gaz lotsjellës drejt protestuesve me qëllim shpërndarjen e tyre. Mediat raportuan se në disa raste pati ndërhyrje edhe të automabulancave, të cilat u erdhën në ndihmë qytetarëve që kishin nevojë për kujdes shëndetësor.

Duke kundërshtuar veprimet e efektivëve, Partia Demokratike u shpreh se e kishte vënë në dijeni Policinë e Shtetit për protestën që do mbanin dhe rrugët që do bllokoheshin.

PESË KRYQËZIMET E BLLOKUARA NGA OPOZITA:

  1. Bashkia e Tiranës
  2. Pallati me Shigjeta
  3. Sheshi Wilson
  4. Rruga e Elbasanit
  5. Pallati me Shigjeta

Pas hedhjes së gazit lotsjellës, protestuesit e sheshit “Wilson” u zhvendosën në drejtim të Bashkisë së Tiranës, aty ku qëndruan deri në orën 20:00.

Sipas kohës që kishim lajmëruar, opozita u tregua korrekte dhe konfirmoi mbylljen e protestës duke parlajmëruar se beteja e tyre e mosbindjes civile do të vijojë.

Lajmërimi i mbylljes së protestës i ishte besuar Belind Këlliçit. Me megafon në dorë dhe thirrjet “Rama ik”, Belind Këlliçi u kërkoi mbështetësve t’i drejtohen selisë së Partisë Demokratike, duke sinjalizuar kështu mbylljen e aksionit të tyre, i cili nisi që prej orës 17:00 të pasdites së sotme/ Ditar.al