Arrestohet në Belgjikë vëllai i Suel Çelës, kreut të bandës në Elbasan që u shkatërrua nga SPAK

Është arrestuar në Belgjikë Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, i cili drejtonte grupin kriminal që u godit nga SPAK gjatë orëve të fundit. Burime për mediat bëjnë me dije se vëllai i Suel Çelës, u arrestua pas një bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.

Mario Çela ishte në mesin e personave për të cilët SPAK kishtë lëshuar një masë sigurie “arrest me burg”, lidhur me operacionin në Elbasan.

Kujtojmë se SPAK lëshoi 21 masa sigurimi, mes tyre 18 “arrest me burg”, për bandën që drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim nga autoritetet tona në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale të Çelës.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.