Brenda pak ditësh, prindër dhe qytetarë janë rikthyer sërish për të protestuar përballë godinës së Ministrisë së Arsimit.
Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu, pas ngjarjs tragjike ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani, shumë pranë shkollës ‘Fan Noli’.
“Ministria e turpit”, “Mos e përdorin ngjarjen për politikë”, “Polici e krimit”, “qeveri e krimit”, ishin disa prej thirrjeve të protestuesve.
Protestuesit i kishin lënë afat deri ditën e sotme ministres së Arsimit që të jepte dorëheqjen, një reflektim ky, i cili nuk ka ndodhur deri në këto momente.
Kërkesat e Shoqërisë Civile:
-Shtimi i buxhetit në 5% të PBB
-Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështetës
-Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, raporti 1 psikolog për çdo 200 nxënës
-Qëndrimi nxënësve në shkollë deri në 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat
-Zbatimi emergjent i rregullit për heqjen e telefonave në orën e mësimit
-Miratimi i legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtje për fëmijët nën moshën 14 vjeç
-Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve ku të ndërlidhen të gjitha hallkat
-Çdo shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë
-Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit.