Partia Socialiste kërkon që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më datë 11 Maj. Sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në një komunikim me gazetarët pas takimit konsultues me Presidentin Bajram Begaj, tha se PS propozon datën 11 Maj që të mbahen zgjedhjet parlamentare, me pretendimin për t’i dhënë mundësi procesit përgatitor për votën e diasporës.
“Sa i përket datës së zgjedhjeve në procesin zgjedhor është futur element i ri, shumë i rëndësishëm, që është vota e emigrantëve. Për të përgatitur sa më shumë këtë proces dhe për t’i lënë më shumë kohë të gjithë emigrantëve që duan të marrin pjesë në të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet politike në Shqipëri. Ne kemi kërkuar, që data 11 maj, si data më e skajshme e mundur nga hapësira që të jep Kodi Zgjedhor, që të jetë data e zgjedhjeve. Do donin shumë që të gjithë emigrantët të fillojnë procesin e tyre të regjistrimit dhe pastaj të përgatitjes së ditës së votimit”, tha Klosi për gazetarët.
Ndërkohë Partia Demokratike e bojkotoi takimin me Begajn, teksa më herët kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi është shprehur se data e zgjedhjeve është caktuar nga Rama-Balla.
Kujtojmë se partitë e vogla, pas takimit që patën me Presidentin Begajn javën e kaluar propozuan 4 Majin, si datë për të zhvilluar zgjedhjet.
Kjo pasi më datë 9 Maj në Tiranë është parashikuar të mbahet samiti i Komunitetit Politik Europian me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë Europa.
“Ne propozuam datën 4. Kushtetuta e përcakton 15 prill-15 maj. Më e arsyeshme për ne është maji, por duke qenë se përfiltet që me datë 19 ka një aktivitet me pjesëmarrje të kryeministreve të Europës kjo mund të ndikojë në zgjedhje dhe mendoj se data 11 është e papërshtatshme. Besoj do të takojë edhe të tjerët presidenti, por në fund të fundit ata që do vendosin dihet se kush janë”, tha Agron Duka i PAA për mediat, pas takimit konsultues me Begajn.