Ogerta Manastirliu është një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama, me të cvilin ka bashkëpunuar që prej vitit 2004, kur kreu i qeverisë së sotme drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Në 20 vite krah Ramës, Ogerta Manastirliu ka arritur të katapultohet nga puna në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve në Bashkinë e Tiranës, në Ministre e Shëndetësisë dhe Arsimit, duke u bërë ministrja më jetëgjatë e qeverive të Edi Ramës.
Por, rrugëtimi i Ogerta Manastirliut në qeveritë “Rama” është shoqëruar me akuza dhe skandale të shumta. Pavarësisht të gjithave, ministrja e preferuar e Ramës, që nuk ka ndenjur asnjë ditë pa një post në qeveri, është e mësuar me skandale, që e kanë shoqëruar në çdo ministri që ka drejtuar.
Tenderat sekretë të pandemisë, arrestimi i krahut të saj të djathtë në Ministrinë e Shëndetësisë, milionat e eurove që ishin për Arsimin por përfunduan te inceneratori i Tiranës, rezultatet skandaloze të PISA-s, skandali te Onkologjiku, mashtrimi me bursat amerikane.
Sot, Ogerta Manastirliu po hetohet nga SPAK pas denoncimit nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Kallëzimi i kësaj të fundit lidhet me keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet për Covid-19, periudhë kur Manastirliu drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Në kallëzim pretendohet se gjatë pandemisë janë bërë tendera sekret nga Ministria e Shëndetësisë që drejtohej nga Ogerta Manastirliu. Procedimi Penal mban numrin 81/2024, për shpërdorim detyre.
Një tjetër skandal kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë ishte edhe ai i Spitalit Onkologjik, ku mjekët bënin tregti me jetët e pacientëve, për shkak të mungesës së ilaçeve.
Por, pasi dështoi me sukses në Ministrinë e Shëndetësisë, kryeministri Rama vendosi t’i besojë Ministrinë e Arsimit. Edhe këtu e njëjta histori, skandal pas skandali.
Rezultatet e PISA-s treguan fytyrën e vërtetë të arsimit në Shqipëri, larg propagandës së qeverisë dhe deklaratave të Manastirliut, ndërkohë që shitja e diplomave nga universiteti “Wisdom” dhe përfshirja e dy mësueseve në mashtrimin me bursat në SHBA e rënduan akoma edhe më shumë pozitën e ministres Manastirliu.
Problemet e Manastirliut me “arsimin” janë të hershme, pasi ministrja është akuzuar edhe për plagjiaturë nga “Lëvizja për Universitetin”.
Por, nëse në të gjitha rastet e sipërpërmendura as që e mendoi për të paraqitur dorëheqjen, tragjedia e disa ditëve më parë duhet ta kishte bërë të reflektonte, pasi vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani në dyert e shkollës ishte një ngjarje shumë e rëndë.
Vetëm 1 ditë pas ngjarjes tragjike, teksa deputetët e PD-së kërkonin të mbanin 1 minutë heshtje për vdekjen e djaloshit, Ogerta Manastirliu gajasej me koleget Balluku dhe Kumbaro, duke shpërfillur totalisht atë që kishte ndodhur.
Sot, qytetarët do të protestojnë sërish para Ministrisë së Arsimit, ku do të paraqesin disa kërkesa, mes të cilave është edhe dorëheqja e Ogerta Manastirliut.
Duke parë që vetë Manastirliu as që ka ndërmend të largohet nga posti i ministres, ndoshta protestat bien në veshin e kryeministrit Rama, që ndoshta një herë të vetme mund të vendosë të dorëzohet përpara prindërve të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Por, edhe nëse kjo ndodh, pavarësisht se gjasat janë të pakta, Ramës do t’i duhet të sistemojë Manastirliun në një ministri të re, pasi nuk mund të lërë jashtë kabinetit qeveritar bashkëpunëtoren e tij prej 20 vitesh.
Kush mund të jetë i “sakrifikuari” dhe në cilën fushë do ta shohim të “shkëlqejë” sërish Manastirliu, pas Shëndetësisë dhe Arsimit?