Nga sulmet e Berishës e Metës, te goditja e bandave dhe kërcënimi i prokurorëve, rrëfehet Altin Dumani: Si provuam lidhjen e politikës me krimin

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është rrëfyer për herë të parë në një intervistë në lidhje me punën e tij dhe të institucionit që ai drejton.

Ai tregoi se gjatë 5 viteve të ekzistencës, SPAK është përballur me vështirësi, pasi e kanë filluar punën me vetëm 18 prokurorë dhe pa staf administrativ, e madje as godinë.

“Në dhjetor SPAK bën 5 vjet. Për publikun dhe për ju si media, ndoshta 5 vjet duken shumë, por realisht për një institucion janë shumë pak për të marrë formën që duhet, duke marrë në konsideratë edhe vështirësitë që kemi kaluar si institucion. Ne kemi filluar në 19 dhjetor 2019, kemi qenë vetëm 18 prokurorë, nuk kishim staf administrativ, nuk kishim madje as godinë, nuk bëhej fjalë të kishim mjete për t’i përdorur për hetimin. Nga ana tjetër kishim një fluks shumë të madh procedimesh penale. Trashëguam nga prokuroria e Krimeve të Rënda një numër relativisht të madh dosjesh. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm shpallën moskompetencën dhe dërguan shumë dosje në Prokurorinë e Posaçme. Kemi kaluar shumë vështirësish, situata është ndryshe sot”, është shprehur Dumani.

I pyetur për akuzat se po godet vetëm opozitën, kreu i SPAK sqaroi se Prokuroria e Posaçme nuk ka agjendë politike, por merren me provat dhe këtë do vijojnë të bëjnë.

“Një pjesë të dosjeve i kam pasur në hetim edhe pa marrë drejtimin e SPAK-ut. Një nga premtimet që kam bërë në KLP ka qenë se do të vijoja të hetoja çështjet që kam pasur në hetim. Ka dhe çështje të tjera që kanë çuar në zgjerimin e grupit të hetimit. Të gjithë prokurorët dhe stafi kanë kontribute. Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik. Në merremi me provat. Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë. SPAK-u është i pavarur nga politika dhe këtë ja jep Kushtetuta dhe ligji. Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre të larguar nga politika. Reagimet e mija janë institucionale dhe jo emocionale. Kam kompetenca, por ato janë të reduktuara në raport me prokurorët e çështjeve”, tha ai.

Për sa i përket akuzave të Sali Berishës dhe Ilir Metës, Altin Dumani deklaroi se nuk impresionohet nga sulme të tilla, teksa shtoi se ngarkesa që ka në punë ia bën të pamundur që t’i dëgjojë këto deklarata të politikës.

“Është hera e parë që i dëgjoj deklaratat. Kam informacion, sepse stafi i ngushtë më informon. Por vetë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dispozicion, pasi është e mbushur e tëra me punë, nuk kam kohë që të merrem e që ti ndjek. Jemi të vëmendshëm ndaj denoncimeve për afera të dyshuara për korrupsion nga kushdo që bëhen. Pjesën  tjetër nuk kam kohë që t’i ndjek me zë dhe figurë. Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që ti anashkaloj”, u shpreh kreu i SPAK.

Kërcënimi i prokurorëve dhe rrjedhja e sekretit hetimor janë dy problematika me të cilat SPAK po përballet shpesh kohët e fundit, ndaj kreu i SPAK tha se kanë nisur edhe hetimet brenda kësaj strukture.

“Sa i takon rrjedhjes së sekretit dhe gazetarët e kronikës janë dëshmitarë që është minimizuar shumë falë edhe masave të marra si institucion. Kemi hapur edhe hetime, aty brenda nesh për njëri-tjetrin për prokurorë, për hetues, kushdo që ka qenë në kontakt me informacionin i cili ka rrjedhur.  Ju garantoj që nëse ka prokurorë të prokurorisë së Posaçme, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale. Kjo nuk diskutohet. Raporti nuk është përfundimtar, ka çështje që janë në hetim në lidhje me sekretin hetimor edhe nga brenda nesh”, tha Dumani.

“Lidhur me krimin e organizuar jemi të shqetësuar, sepse vihet në rrezik jeta e tyre dhe e familjarëve të tyre. Janë të shumta rastet që prokurorët janë kërcënuar. Krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe agjencitë e huaja me të cilat ne bashkëpunojmë. Nuk flasim për krim të rrezikshëm imagjinar, por për real”, shtoi ai.

Lidhja e krimit të organizuar me politikën dhe Policinë e Shtetit është ndoshta një nga problemet më të mëdha që SPAK dhe Shqipëria ka, por këto lidhje janë zbuluar falë transkriptimeve të bisedave në aplikacionet “SKY” dhe “Encrochat”.

Sipas Dumanit, falë këtyre bisedave, SPAK ka një panoramë më të qartë të krimit të organizuar shqiptar, të shtrirjes gjeografike, të aktiviteteve të synuara të krimit të organizuar shqiptar, të aleancave me grupet e tjera kriminale jo shqiptare dhe të fuqisë financiare të tyre.

“Sky EÇ është një ndër provat e trajtuara gjatë fazës së hetimit paraprak. Por edhe bashkëpunimi në kuadër të SKY EÇ është një tjetër tregues i nivelit të zbatimit të ligjit kanë te SPAK dhe që i dhanë mundësi SPAK-ut të punojë me prova të kësaj natyre, falë edhe të dhënave të përfituara nga SKY, ne tashmë kemi një panoramë më të qartë të krimit të organizuar shqiptar, të shtrirjes gjeografike, të aktiviteteve të synuara të krimit të organizuar shqiptar, të aleancave me grupet e tjera kriminale jo shqiptare, të fuqisë financiare të tyre.

Gjithashtu procedimet penale kur përdorëm SKY na dhanë mundësi të ekspozonim lidhjet e krimit të organizuar me politikën, me gjyqtarë, me prokurorë, me funksionarë të lartë policie dhe me përfaqësues të lartë të administratës”, u shpreh Dumani