Gazment Bardhi ka rikonfirmuar sot se PD nuk do të marrë pjesë në konsultat me presidentin e vendit, Bajram Begaj, lidhur me datën e zgjedhjeve parlamentare 2025.
Ai njofton se Begaj ka ftuar në konsulta të hënën, në orën 10:30, Sekretarin e Përgjithshën dhe kreun e Grupit të PD, por Bardhi shkruan se refuzon të bëhet pjesë e një procesi farsë, duke shtuar se data e zgjedhjeve është paracaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Balla.
Sipas Bardhit, Presidenti Begaj pritet vetëm të nënshkruajë dhe të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Bardhi ka hedhur akuza në drejtim të Begajt, i cili sipas tij ka zgjedhur të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet Shqipëria.
“Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.
Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.
Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.
Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!”, shkruan Bardhi.