Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të presë vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë sa i takon emigrantëve, të cilët pasi mbërritën në vendin tonë, u rikthyen sërish ne vendin fqinj.
Sipas Corriere della Serra, pritet që asnjë emigrant që kapet në det në Itali të sillet në Shqipëri, derisa GJED të dalë me një vendim, për përcaktimin e “vendit të origjinës së sigurt”, siç kërkohet ditët e fundit nga gjyqtarët.
Tërheqja duket se është bërë për të shmangur kostot e tepërta financiare të transportit me anije ushtarake të emigrantëve drejt Shqipërisë. Vendimi duket se është marrë gjatë orëve të fundit në një takim mes Melonit dhe ministrit të Brendshëm, Mateo Piantedosi.
Më herët, La Repubblica shkruante se është reduktuar numri i agjentëve të pranishëm në dy kampet, Shëngjin dhe Gjadër,pas kthimit të emigrantëve në Itali.