Ilir Meta transferohet te burgu “313”, avokati Gjokutaj paralajmëron padi ndaj Policisë së Shtetit

Pas 4 orësh seancë, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta, si dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi.

Pas vendimit të gjykatës, Ilir Meta do të dërgohet në burgun “313” në Tiranë.  Ndërkohë avokati i tij, Genc Gjokutaj në një komunikim me gazetarët jashtë ambienteve të GJKKO, paralajmëroi padi ndaj Policisë së Shtetit, në lidhje me sjelljen e tyre gjatë arrestimit të Metës.

 “Jemi rrugës për të ngritur një padi ndaj policisë për arrestimin e Metës”- tha Gjokutaj për gazetarët.

GJKKO konfirmoi sot pasdite “masën e arrestit” me burg për Ilir Metën, dhe “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin.

Për të njëjtën dosje janë nën hetim edhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.