Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë për arrestimin e Ilir Metës

Nga konferenca e përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen , kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Rama u shpreh se rasti i përket drejtësisë, duke shtuar se nuk komenton politikën e brendshme në gjuhë të huaj apo kur ka miq të huaj.

“Ju e dini përgjigjen, në këtë rast jo thjesht për faktin që unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj apo në prani të miqve të huaj, por në faktin që ne e kemi nisur reformën ne drejtësi, as unë dhe as forca politike që unë udhëheq nuk komentojmë për çështje që i takon drejtësisë.

Kur ndodh që çështjet të mbyllem, mbase në ndonjë rast ja vlen ndonjë koment sidomos kur vihet drejtësia për fenomene katastrofike për shoqërinë siç është shpifja. Rasti konkret i takon vetëm drejtësisë”-ishte përgjigja e Ramës për gazetarët.

Ndërkohë edhe Presidentja e KE nuk komentoi arrestimin e Metës duke nënvizuar tha se me Shqipërinë “punojmë për reforma, mbështesim reformën në drejtësi, por nuk bëjmë komente lidhur me çështjes gjyqësore”.