Porositi sulmin brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, lihet në burg Dritan Nano

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën për masë më të butë sigurie ndaj Dritan Nanos, i cili është personi që porositi dhe organizoi dhunimin brutal të avokatit, Sokol Mëngjesi, pas muaj më parë në Tiranë.

Nano do të vazhdojë të qëndrojë në burg në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 29 maj të këtij viti, ku 4 persona i zunë pritë Mëngjesit dhe e dhunuan.

Megjithatë në dëshminë e dhënë për policinë, 58-vjeçari ka mohuar të ketë gisht në ngjarjen e rëndë. “Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen”, ka dëshmuar para hetuesve Dritan Nano.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Mbi bazën e materialeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rezulton se në datë 29.05.2024, rreth orës 08:34, në rrugën “Pjetër Bogdani”, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, shtetasi me iniciale D. A, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në lidhje familjare midis tyre, kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mengjesi, me profesion avokat.

Personi nën hetim shtetasi me iniciale D. N, ka paraqitur kërkesën me objekt: “Revokimin, zëvëndësimin e masës së sigurimit personal nga “arrest në burg”, në atë të “arrestit në shtëpi”.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2188 Regj.Them, datë 25.09.2024, ka vendosur:

1. Rrëzimin e kërkesës të palës kërkuese D. N.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale D. N, i cili kërkoi zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “arrest në burg”, në atë të “arrest në shtëpi”.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 22.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Valbona Vata, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 2188 Regj.Them, datë 25.09.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshem Tiranë.