DOSJA E SPAK/ Si Samir Mane korruptoi Metën dhe Kryemadhin: Vilë në Rolling Hills në këmbim të ligjit për MINIERAT! Paktin e mësoi ambasadori grek…

Dosja e Prokurorisë së Posaçme për Ilir Metën ka nxjerrë në pah korrupsionin mes biznesmenëve të mëdhenj të Shqipërisë dhe politikanëve.

Sipas dosjes së SPAK, biznesmeni Samir Mane i ka premtuar Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit një vilë të ndërtuar në kompleksin Rolling Hills, në këmbim të miratimit apo ndryshimit të një ligji në fushën e Minierave, në të cilën kishte aktivitet edhe vetë biznesmeni.

Por, vila e premtuar nuk ka mundur të merret nga çifti Meta-Kryemadhi, për shkak se marrëveshjen mes dy palëve e kishin marrë vesh persona të tjerë, mes të cilëve edhe ambasadori grek në Tiranë, që rezulton të jetë Leonidas Rokanas.

Pavarësisht se vilën nuk e morën, Meta dhe Kryemadhi e mbajtën premtimin e tyre dhe e miratuan ligjin që kërkoi Samir Mane.

Media Ditari kontrolloi ligjet e miratuara në periudhën 2013-2017, kur Meta ishte kryetar i Kuvendit, siç thotë dosja e SPAK. Rezulton se në fushën e minierave, Kuvendi ka miratuar në 9 Tetor 2014 me 72 vota pro ligjin për “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.

“Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë të përdorë nënkontraktorë për kryerjen e shërbimeve të ndryshme në funksion të realizimit të veprimtarisë minerare. Nënkontraktori i përzgjedhur duhet të jetë i specializuar në shërbimin për të cilin është kontraktuar nga zotëruesi i lejes minerare. Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë të japë me nënkontraktim të drejtën e shfrytëzimit të lejes minerare, për kërkim-zbulim, për shfrytëzim apo për kërkim-zbulim-shfrytëzim”, thuhet në projektligjin e miratuar nga Kuvendi.

Sipas draftit, nënkontraktori i përzgjedhur nga zotëruesi i lejes minerare duhet të marrë miratimin paraprak nga ministria, lidhur me plotësimin e kushteve kryesore ligjore, teknike e financiare, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit. Ministri përcakton me udhëzim, edhe kushtet e procedurat e nënkontraktimit, të drejtat dhe detyrimet e nënkontraktuesit.

Çfarë shkruhet në dosjen e SPAK:

Personi nën hetim Ilir Metaj, në kohën që ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, personin nën hetim Monika Kryemadhi, kanë marrë përsipër të miratojnë/ndryshojnë një ligj në fushën e Minierave, që zgjidhte një shqetësim të disa investitorëve në këtë drejtim. Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Metaj dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills. Pasi ky fakt është marrë vesh dhe nga persona të tjerë duke përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi duke mos e finalizuar marrëdhënien. Pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin. Si rrjedhojë, krijohet dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.