Jurgis Çyrbja është i fundit deputet i Partisë Socialiste i arrestuar për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar, por në listë përpara tij janë edhe shumë të tjerë.
Largimi i tij nga Kuvendi e bën Çyrbjan deputetin e tretë që lë mandatin nga lista e deputetëve të dalë në zgjedhjet e vitit 2021 nga qarku i Durrësit.
Përpara tij, dha dorëheqjen Lefter Koka, i cili sot ndodhet në burg me dy dënime nga Gjykata për aferën e inceneratorëve. Pas tij, mandatin e dorëzoi edhe Rrahman Rraja, pas skandalit ku anëtarët e familjes së tij dhunuan barbarisht dy persona, ndërkohë që policia heshti për ngjarjen derisa doli video e filmuar nga vetë Rrajat.
Këta 3 deputetë ishin edhe nga më të votuarit në qarkun e Durrësit, pas kryeministrit Rama, ndaj largimi i tyre bën që të bjerë edhe lista e Ramës për qarkun e Durrësit.
Por, kjo nuk është hera e parë që PS-së i bie lista e deputetëve, pas arrestimeve apo dorëheqjes së kandidatëve të saj.
Një rast i tillë ka ndodhur me listën e kandidatëve të deputetëve në qarkun e Lezhës në vitin 2013, ku në lsitë ishin të vendosur 8 kandidatë.
PS arriti që të fusë në Kuvend vetëm 2 kandidatët e prë, Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. E para e la mandatin për shkak se u zgjodh ministre dhe mandati i saj i kaloi Arben Ndokës, i cili u dorëhoq për shkak të akuzave ndaj tij për problemet me drejtësinë.
Në radhë ishin Ndrec Ddaj dhe Merjeme Delishi, por i pari u zgjodh kryebashk8iak i Mirditës, ndërsa Delishi nuk e pranoi mandatin për shkak të problemeve shëndetësore. Ndërkohë, edhe Armando Prenga e la mandatin e deputetit, të cilin duhej ta merrte Kastriot Piroli, por edhe ky i fundit e dorëzoi për shkak se ka vuajtur dënimin me burg dhe nuk ia lejonte ligji.
Në fund, mandatin e socialistëve e mori Erisi Zaimi nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi lista e PS-së ra pas dorëheqjeve dhe refuzimeve të kandidatëve.