Gazment Bardhi publikon videon e drejtorit të OSHEE-së: SPAK ta hetojë, vetëm natën e Vitit të Ri u grabitën më shumë se 88 mijë euro

Gazment Bardhi vijon akuzat ndaj ministres Belinda Balluku për shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike në bursë.

Pas akuzave të paradites, ai ka publikuar edhe videon e drejtorit të OSHEE-së, Enea Karakaçit, që ditën e sotme ka dhënë një intervistë në Top Channel, ku deklaron se në bursë bëhen vetëm blerje afatshkurtra.

Sipas Bardhit, kjo deklaratë duhet hetuar nga SPAK, pasi është një provë që tregon se si po grabiten paratë e qytetarëve shqiptarë. Ai ka dhënë edhe një provë, pasi thotë se si në blerjen e natës së vitit të ri, është blerë jashtë bursës për 8 orë 2000 Mëh energji dhe grabitja vetëm për këto 8 orë rezulton të jetë 88 mijë e 960 euro.

Lexo edhe: E shiti lirë dhe e bleu shtrenjtë”/ Bardhi denoncon në SPAK Ballukun: Vodhi 180 milion euro nga energjia elektrike

Postimi i Gazment Bardhit:

SPAK të administrojë intervistën e vartësit të Ballukut!

Ministrja Balluku ka nxjerrë sot drejtorin e OSHEE-së për të ç’orientuar opinionin në lidhje me grabitjet që janë bërë prej saj me energjinë elektrike. Ky zotëria që ka folur nuk ka lidhje direkte me transaksionet e shit-blerjes së energjisë. Ata që kanë heshtin!

Megjithatë, vartësi i Belinda Ballukut sot ka dhënë një dëshmi të cilën i kërkoj SPAK-ut ta administrojë, sepse ai deklaron se në bursë bëhen vetëm blerje afatshkurtra!

Ja ku po i jap një provë se si në blerjen e natës së vitit të ri, është blerë jashtë bursës për 8 orë 2000 Mwh energji dhe grabitja vetëm për këto 8 orë rezulton të jetë 88 mijë e 960 euro.

SPAK i ka të gjitha dokumentet dhe operacionet korruptive lidhur me këtë aferë. Janë kapur me presh në dorë si hajdutë ordinerë dhe nuk manipulojnë dot askënd me gënjeshtra!