Përplasja me efektivët dhe aksioni në Kuvend, policia dërgon në SPAK 7 deputetët e PD-së

Policia ka dërguar në SPAK materialet për procedimin penal të deputetëve të opozitës, të cilët ditën e djeshme shkaktuan tensione, në kuadër të mosbindjes civile.

Kështu janë referuar materialet për , Elda Hotin, Flamur Nokën, Bledion Nallbatin, Gazment Bardhin, Dashnor Sulën, Luan Baçin dhe Saimir Korreshin.

Në njoftimin e policisë thuhet se dje në sallën e seancës plenare deputetja Elda Hoti ka hedhur në drejtim të deputetëve socialistë një lëndë të lëngshme të paidentifikuar. Hoti është shprehur se shishja e hedhur mbante parfum, ndërsa mazhoranca pretendon se ishte benzinë. Ndërkohë për Nokën, Bardhin, Nallbatin, Baçin, Sulën dhe Korreshin, thuhet se kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë që ishin me shërbim.

Kujtojmë se dje pati përplasje si brenda, ku deputetja e përjashtuar Elda Hoti hodhi një lëng të paidentifikuar deri tani, duke sjellë reagimin e ashpër të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila e akuzoi se ka rrezikuar jetën e deputetëve. Përplasje pati edhe jashtë godinës, pasi protestuesit që ishin para bashkisë shkuan drejt këtij institucioni, çka solli edhe zhvendosjen e policisë. Forcat e Rendit më pas u futën brenda territorit të Kuvendit dhe kjo solli përplasje me deputetët e opozitës.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit:

– E. H., 32 vjeçe, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”;
– F. N., 53 vjeç, B. N., 38 vjeç, G. B., 39 vjeç, D. S., 55 vjeç, L. B., 61 vjeç, dhe S. K., 43 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim.

Materialet i kaluan Prokurorisë.