Homofobia si tregues i dështimit politik

Dy parti “të reja” u angazhuan së fundmi në politikë homofobike duke treguar mungesë akute fantazie pikërisht në temën e shtëpive të papërballueshme, e cila ofron një thesar votash që politikanët “e rinj” mundet t’i fitojnë në kurriz të të “vjetërve”.

Le ta nisim nga faktet e thata: problemi i nevojës për të pasur shtëpi të përballueshme nga të gjithë është një çështje e debatit politik të ditës në të gjithë botën dhe informacioni bazë mbi të ardhurat dhe çmimet e shtëpive për qira apo për blerje, si dhe mbi ofertën e shtëpive të disponueshme apo numrin e familjeve në nevojë të ngushtme për shtëpi “të përballueshme” tregojnë se nuk ka se si që pikërisht kjo të mos bëhet temë e debatit politik në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Sipas të dhënave të censit të popullsisë dhe banesave, të kryer në shtator 2023, afro 135 mijë familje aktualisht jetojnë në shtëpi me qira apo të dhëna në përdorim nga pronarët ndërsa më shumë se sa gjysma e popullsisë duket se banon në shtëpi të vogla dhe të mbipopulluara.

Personat që kanë kontribuuar shumë, (sepse nuk mund të thuash se e kanë krijuar problemin) gjenden te të ashtuquajturat parti të vjetra, të cilat, përgjatë dekadave që kanë ruajtur duopolin e pushtetit, kanë refuzuar hartimin e planeve urbanistike normale duke mbajtur tregun e ndërtimit në ngërç, me ofertë të kontrolluar dhe me çmime të papërballueshme për shumicën e popullsisë. Dhe fakti që familjarë të ish-kryeministrit Sali Berisha kanë qenë pronarë të padeklaruar në sipërmarrje ndërtimi apo që zyrtarë të shumtë socialistë, përfshirë edhe drejtorët e Bashkisë Tiranë të njohur për kompaninë 5D kanë gjithashtu interesa në këtë sektor, i bën të dyja palët, si PS-në, ashtu edhe PD-në, përgjegjëse.

Ndërsa partitë “e reja”, ato që pretendojnë se do të sfidojnë hegjemoninë e ushqyer nga korrupsioni të dy partive të mëdha, i kanë të gjitha mundësitë që të kapitalizojnë mbi këtë problem akut me rëndësi të jashtëzakonshme për dhjetëramijëra votues. Këto parti “të reja” kanë të gjitha mundësitë të ofrojnë politika nga më të larmishmet për zgjidhjen apo për zbutjen e problemit, nga më radikalet te më racionalet, përfshirë taksimin e shtëpive të dyta apo të treta, heqjen e taksave dhe të referencave fiskale për të lejuar uljen e çmimeve, zgjerimin e qyteteve dhe planifikimin urban për llogari jo vetëm të ndërtuesve por edhe të të varfërve ose të shtresës së mesme apo ndërtimin masiv të banesave me fonde publike me qëllim krijimin e kushteve të banesës së përballueshme për të gjithë.

Është shumë e çuditshme pra që në këtë kontekst, Pano Soko dhe Endri Shabani nga Nisma Thurrje dhe Adriatik Lapaj nga Shqipëria Bëhet, u angazhuan në politikë homofobike javën e kaluar duke shfrytëzuar në mënyrë tepër të sforcuar një vendim të këshillit bashkiak të Tiranës për kriteret e përfitimit të kredive “të buta”.

Kush nuk e di, kreditë e buta janë një instrument politik i konceptuar që prej fillimit të viteve ’90. Instrumenti në fjalë, përveçse është shumë i vogël, pra disa dhjetra familje përfitojnë përballë mbi 100 mijë që kanë nevojë, është i prekur nga korrupsioni apo favorizimi politik. Gjatë procesit të vetingut, shumë zyrtarë të drejtësisë rezultuan përfitues të këtyre kredive të buta, të cilët i kishin përdorur paratë e destinuara për të varfrit për të blerë shtëpi të dyta, madje edhe shtëpi plazhi. Me pak fjalë, instrumenti i kredive të buta nuk është në gjendje të zgjidhë problemin as për një minorancë të minorancës së atyre që kanë problem real mungesën e shtëpive të përballueshme.

Gjithsesi, bashkia miratoi një vendim i cili i jep prioritet grupeve të ndryshme shoqërore që të përfitojnë, nëse arrijnë nga ky instrument dhe një nga kriteret përfituese është që personat që kanë qenë viktima të dhunës brenda familjes për arsye të orientimit gjinor, mundet të aplikojnë.

Endri Shabani u ankua në faqen e tij në Facebook se pse personat që i përkasin komunitetit LGBTQ janë përfshirë në listën e përfituesve potencialë të kredive të buta, ndërsa disa kategori të tjera, jo. Ndërsa Pano Soko u foli ndjekësve në TikTok duke insinuuar se vendimi duhet të jetë një axhendë kundër familjes e ndërmarrë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Adriatik Lapaj gjeti rastin të shpallë se vendimi i bashkisë “sulmon konceptin e familjes” para se të shpallte “neverinë” e tij për nisma të tilla.

Lulëzimi i homofobisë mes politikanëve të rinj, nisur nga një situatë kaq e sforcuar, pra një vendim këshilli bashkiak që synon të trajtojë problemin e strehimit me një politikë disfunksionale, e cila duhet të meritojë neverinë tonë jo pse mes përfituesve potencialë ka persona gej, por sepse nuk zgjidh dot problemin e strehimit as për gejët dhe as për jogejët, është me të vërtetë shumë i çuditshëm.

Kjo lloj politike duket se demonstron paaftësi për të shqyrtuar probleme të tilla madhore dhe për të ngritur platforma politike racionale nga njëra anë dhe mungesë dëshire për të sulmuar aty ku ka gjasa t’u dhembë më shumë Erion Veliajt, Edi Ramës e të tjerëve. Në vend të politikave me leverdi të madhe elektorale si strehimi, politikanët e rinj kanë vendosur të merren me çështje periferike.

Është shumë e çuditshme gjithashtu për shkak se logjika ta do që homofobia, – përveç faktit që nuk është vërtetuar kurrë të ketë ndonjë efekt elektoral,  [disa parti në të shkuarën si Lëvizja e Legalitetit nuk kanë pasur ndonjë sukses të madh elektoral me platforma të tilla] vështirë se mund të prodhojë vota më shumë se sa të 135 mijë familjet pa shtëpi dhe shumë të tjera me shtëpi të vogël. Problemi i shtëpive të papërballueshme është një telash i përditshëm dhe personal i kaq shumë mijëra familjeve, të cilat kanë vota për të rrëzuar çfarëdolloj maxhorance, nëse politikanët arrijnë t’i bindin, qoftë me oferta politikash racionale, qoftë me përqasje irracionale. Nga ana tjetër, ekzistenca e gejve në shoqëri, vështirë se është probemi i përditshëm edhe i më homofobëve mes homofobëve dhe si e tillë, vështirë se mund të prodhojë vota.

Në këtë kontekst, homofobia ngjan si treguesi i parë i dështimit të këtyre “të rinjve” për të na sjellë politika sfiduese ndaj “të vjetërve”. Homofobia ngjan gjithashtu edhe një favor i madh që “të rinjtë” po u bëjnë “të vjetërve”./BIRN