Deputetja Flutura Açka nuk do të jetë pjesë e partisë “Djathtas 1912”, me themelues Enlekejd Alibeajn dhe disa deputetë të tjerë të opozitës.
Gjatë një interviste televizive, Flutura Açka ka deklaruar se nuk është pjesë e themeluesve dhe organizatorëve të kësaj partie, e cila u zyrtarizua ditën e shtunë. Arsyet për të mos u bërë pjesë e kësaj partie, i lidhi me ato personale, dhe jo për frymën që ka “Dajthtas 1912”.
“Nuk jam pjesë e “Djathtas 1912” nuk jam pjesë e grupit themelues dhe organizator. Mbështes kolegët e mi. Nuk marr pjesë për arsye personale jo për frymën e kësaj partie. Mbështetja ime është në një farë mënyrë pjesëmarrje.
“Gurët” kanë ardhur më shumë nga kampi opozitar se sa nga opinioni publik.
Politika është një art që bëhet në ansambël, shpesh e kam ndjerë veten vetëm. Me keq të vjen kur ndodh që as miqtë nuk kanë kuptuar çfarë kam dashur të them.
Politika shqiptare ka disa doza të tepruara barbarizmi”,- u shpreh Açka.
Kujtojme se “Djathtas 1912” është subjekti politik që ka në krye disa nga figurat e larguara nga Partia Demokratike, si Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Seladin Jakupllari, Edvin Kulluri, Agron Kapllanaj, Roland Bejko.