Mbahet këtë të hënë Procesi i Berlinit, 10 vite nga krijimi i tij, ku marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor. Gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman, Olaf Scholz lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.
Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
Ndërkohë kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjete sociale momente nga punimet e këtij samiti ku shfaqet në krah të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock. Pas disa përplasjeve që kreu i qeverisë ka pasur me Kurtin, ky takim i ka bërë bashkë.
Procesi i Berlinit, themeluar 10 vite më parë, ka për synim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.