Algoritmi i rrjeteve sociale gjithmonë na jep atë çfarë kërkojmë. Nëse ne jemi interesuar për një ndeshje futbolli, ne do të shohim video të shumta rreth asaj ndeshje dhe golave të realizuar. Përveç videove rreth ndeshjes, papritur ne na shfaqen dhe opinionist të ndryshëm që japin vlerësimet e tyre për sfidën. Algoritmi nuk ndalet deri këtu, përveç të mirave kemi dhe anën negative. Njerëz të shumtë që ofendojnë lojtarë të ndryshëm, ku shpesh komentet e tyre janë raciste dhe diskriminuese.
Këto mund të duken si diçka normale në pamje të parë, por jo! Këto video i bëjnë njerëzit më agresivë dhe më të dhunshëm, shpesh fansat edhe përplasen fizikisht me njëri-tjetrin. Madje kur këto video publikohen, tek njerëzit lind një dëshirë për të qenë edhe më të dhunshëm ndeshjen e ardhshme për të treguar se ata janë të pamposhtur.
Media sociale është duke krijuar një çrregullsi në jetën reale të njerëzve dhe ata nuk po arrijnë të ndajnë realitetin nga videot që shohin virtualisht.
Psikologia Claire Robertson tha se sipas një studimi të kryer, njerëzit i kushtojnë më shumë vëmendje gjërave të gabuara dhe pasi shohin video të dhunshme, iu rritet dëshira për t’u përfshirë në këto akte edhe vetë.
“Gjërat që tërheqin më shumë vëmendje në mediat sociale janë ato që pasqyrojnë veprime ekstreme. Njerëzit tërhiqen nga veprimet e dhunshme dhe kërcënuese. Ne jemi krijuar që t’i kushtojmë më shumë rëndësi gjërave që janë kërcënuese për jetën tonë. Është normale që ne t’i kushtojmë më shumë rëndësi gjërave negative. Nëse ne jemi në pyll dhe një gjarpër po zvarritet në barë dhe një ketër ndodhet në pemë, ne do t’i kushtojmë më shumë rëndësi zvarritësit që mund të shkaktojë vdekjen tonë”, tha ajo.
Por kësaj radhe për shkak të mediave sociale jemi ne ato që po shkaktojmë rrezik. Përdoruesit ndjekin më shumë faqet që përhapin lajme të rreme dhe kanë përmbajtje dhune sesa atyre që janë edukative.
Edhe pse ne jemi të vetëdijshëm që përmbajtjet janë falso, ne i ndjekim ato, madje edhe shpërndajmë ato informacione. Ne biem në kurthin e rrjeteve sociale dhe humbasim perceptimin e realitetit. Ajo çfarë ne si përdorues duhet të bëjmë është të ndalojmë t’i shohim këto përmbajtje dhe të ndalojmë ndarjen e tyre sepse sa më shumë angazhime në një postim të caktuar, aq më shumë njerëz do ta shohin atë, për shkak të algoritmit.
Madje, uragani Milton që shkaktoi dëme të jashtëzakonshme në SHBA që shkojnë deri në shifrën e 100 miliardë euro, nuk ka shpëtuar nga teoritë konspirative të përhapura. Njerëzit po shkojnë deri aty sa thonë se moti u kontrollua nga qeveria e Joe Biden. Pavarësisht shumë deklaratave që janë bërë nga media të ndryshme se këto janë lajme të rreme, njerëzit sërish i besojnë teorive konspirative.
Mediat sociale sa vjen edhe më shumë po ndikojnë në perceptimin tonë të realitetit, saqë nuk mund të dallojnë botën virtuale nga ajo reale.