Një udhëtim nga Milano në Tiranë, i cili ishte planifikuar ditën e djeshme në orën 16:50 me kompaninë “Air Albania” është anuluar duke lënë pasagjerët në aeroport.
Pasagjerët janë ankuar në media ndërsa kompania ka reaguar ditën e sotme duke deklaruar se anulimi i fluturimit ka ardhur për shkak të një problemi teknik dhe për të garantuar sigurinë e pasagjerëve.
Megjithatë nuk shpjegon asgjë se përse nuk janë marrë masat për të sjellë një avion tjetër në dispozicion, pasi pasagjerëve mund t’u jetë dashur të udhëtojnë edhe tranzit nga Tirana dhe të kenë humbur fluturimin tjetër.
Kompania ajrore thotë se ata do të fluturojnë ditën e sotme nga Milano në Tiranë, duke deklaruar se janë trajtuar në përputhshmëri me të drejtat e pasagjerëve.
Deklarata e plotë:
Në përgjigje të publikimit në një media të një situate anullimi e cila ka ndodhur për shkaqe teknike në fushen e aviacionit, gjejmë rastin të sqarojmë publikun se pasagjerët tanë të fluturimit ZB2004 nga Milano në Tiranë në datën 11 Tetor, janë trajtuar në përputhshmeri me të drejtat e pasagjerëve, Rregullorja (EC) 261/2004.
Pas një problemi teknik dhe duke pasur në fokus sigurinë e pasagjerëve ne u detyruam të anullojmë fluturimin. Pasagjerët janë mbajtur të informuar nga stafi i Air Albania dhe gjithashtu do të fluturojnë ditën e sotme nga Milano në Tiranë.
Air Albania garanton në nivel maksimal sigurinë në avionët dhe udhëtimet tona.
Skuadra të dedikuara ekspertësh monitorojnë operacionet 24/7.
Me Air Albania çdo qiell është i sigurtë!