Veprime dhe gjeste të turpshme ka patur mbrëmë nga tifozët çekë në ndeshjen Shqipëri-Çeki, ku ka patur provokime, thirrje raciste në kor, ndërsa është përdhosur edhe flamuri shqiptar.
Në tribunën e ultrasve çekë, ishin vendosur flamuj serb ku i është bashkangjitur harta e Kosovës, si dhe simbolet e Shqipërisë u kthyen përmbys, madje në disa prej tyre ishin vendosur kryqe tek pjesa e shqiponjës dykrenare.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka dënuar me forcë këto akte të turpshme, të cilat sulmojnë hapur respektin mes kombeve dhe vlerat e këtij sporti.
FSHF njoftoi se de do të dërgojë një notë proteste në UEFA duke kërkuar masa të menjëhersme.
Reagimi i plotë:
Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë aktet e turpshme që ndodhën gjatë ndeshjes së sotme kundër Çekisë. Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar janë të patolerueshme dhe nuk i takojnë fushës së futbollit. Ky akt i rëndë përbën një sulm të hapur ndaj vlerave të futbollit dhe respektit midis kombeve.
Federata Shqiptare e Futbollit dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore. FSHF reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës.
Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë dhe respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike. Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti.
Pavarësisht ndeshjes së sotme, Kombëtarja jonë ka treguar gjithmonë forcë dhe guxim për të përballuar çdo vështirësi duke u ngritur pikërisht atëherë kur lind nevoja. Bashkë me tifozët do të lëmë pas këtë ndeshje dhe bëhemi gati për të shkuar në Gjeorgji për një rezultat pozitiv.