Revolta e opozitës, PS kërkon në Kuvend përjashtimin e 24 deputetëve të PD

 Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së, pas ngjarjeve të djeshme ku deputetët e opozitës të revoltuar për burgosjen e kolegut të tyre, mblodhën karriget e sallës dhe u vunë flakën.

PS ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.

Brenda 48 orëve mblidhet Sekretariati i Etikës për masat ndaj 24 deputetëve.

Në kërkesën e PS-së theksohet se dhuna e deputetëve demokratë cenoi punën e parlamentit dhe vuri edhe në rrezik jetën e deputetëve.

Në dokumentin e firmosur nga deputetët e mazhorancës vihet në dukje se sjellja e kolegëve të opozitës në sallën e seancave plenare dhe djegia e karrigeve kanë cenuar imazhin e parlamentit.

Në kërkesë nuk specifikohet masa e dënimit për deputetët e opozitës, por rregullorja parashikon përjashtim nga parlamenti deri në 60 ditë.

Nëse kërkesa e PS miratohet në seancën e së enjtes do të mungojnë më shumë se gjysma e Grupit Parlamentar demokrat.