Shoferët e dehur në timon shkaktojnë dy aksidente në Tiranë

Tre aksidente janë regjistruar brenda pak orëve dje në Tiranë ndërsa në pranga kanë rënë drejtuesit e këtyre mjeteve.

Siç njofton policia, dy shoferë të dehur në timon kanë shkaktuar dy aksidente të ndryshme në kryeqytet. Një 38 vjeçar ka përplasur me makinë një 67 vjeçar në rrugën Pjetër Budi. Fatmirësisht kalimtari pasi mjekimit në spital, u dërgua në banesë

Ndërkohë një 44 vjeçar po në gjendje të dehur ka përplasur me mjetin e tij një motomjet. Drejtuesi i këtij të fundit ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

– F. P., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen B. Z., 69 vjeçe. Si pasojë 69-vjeçarja është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

– G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 13:00, në rrugën “Pjetër Budi”, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Ford”, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin R. G., 67 vjeç, i cili pas kontrollit mjekësor në spital, kaloi për në banesë;

– B. H., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 13:20, në Yrshek, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz”, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin A. H., 59 vjeç. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.