Gjykata e Apelit dënon me 1 vit burg Ervin Salianjin, deputeti: Vendimi u dha nga kunata e Belinda Ballukut

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji, për akuzën “kallëzim të rremë” lidhur me çështjen “Babale”.

Kështu deputetit të PD përveçse i hiqet liria për një vit, ai sipas ligjit do të humbë automatikisht edhe mandatin si deputet

Në një deklaratë për mediat Salianji tha se Gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur dhe se vendimi u mor nga gjyqtarë të afërt me PS, një prej të cilave ishte kunata e Belinda Ballukut, siç tha ai. Salianji shtoi se është i dënuari i parë politik pas 24 vitesh.

“Siç edhe besoj e ndoqët në seancë, gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur.

Në të gjithë elementët e një dosje të kopsitur nga fillimi deri në fund, e bënë këtë vendimmarrje e bëjnë një vendimmarrje politike, një dënim politike, dënimin e parë pas 32 vitesh për agjitacion dhe propagandë. kam bërë shërbim të madh për interesin publik në çdo formë dhe mënyrë sido që të jetë.

Nuk kam bërë betejë për veten, për interesa personale, për të vjedhur siç kanë bërë këta, për të vrarë, nuk kam bërë betejë për trafik droge, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës, kundër maskarenjve në këtë vend. Nga të dhënat që kam mbledhur këto ditë njëra prej gjyqtareve është kunata e Belinda Ballukut, mendoni ju se do të japë vendim pro një deputeti të PD?

Do ta bëj këtë betejë, është akti i parë, po jua them që në ardhmen do të keni shumë procese të tjera. Procese ‘mamale’, jo ‘babale’. Jam i nderuar dhe kam një medale që shndrit në karrierën politike.”, tha Salianji.

Gjyqi për akuzën e shpifjes mes vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe deputetit Ervin Salianji vijon prej më shumë se dy vitesh.

Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.

Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim gjykata tha se video ishte e montuar.