Ka përfunduar pas 8 orësh, dëshmia e ish-zëvendës ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Rjepaj u pyet në lidhje me koncesionin Check-up e Sterilizimit, me këtë të fundit të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj, ndërsa të dy ndodhen në burg për këtë çështje. Rjepaj mori leje për të dalë nga burgu dhe i shoqëruar nga forca policia e me pranga në duar ai mbërriti në Kuved, ku ka dalë pas 8 orësh.
Rjepaj gjatë dëshmisë mbrojti koncesionin për Sterilizimin duke përmendur edhe shifra sa i përket uljes së numrit të infeksioneve dhe jetëve të shpëtuara. Ish-zëvendës ministri mohoi konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin e Sterilizimit dhe gjithashtu po hetohet nga SPAK për këtë çështje.
Klodian Rjepaj u arrestua me urdhër të SPAK më 17 gusht 2023 së bashku me biznesmenin Rrapaj, për koncesionin e Sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.