Mazhoranca ka votuar me votat e saj ndryshimet në ligjin që i detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë 3 vjet në vend, pasi në të kundërt nuk mund të marrin diplomën.
Ligji u miratua me 73 vota pro, ndërsa deputetët e opozitës nuk ishin në sallë, pasi për 2 ditë nuk do të zhvillojnë apo marrin pjesë në aktivitete politike, në kujtim t ëish-deputetit Gerti Bogdani, i ndarë nga jeta një ditë më parë për shkak të një arresti kardiak.
Ligji u rikthye në Kuvend, pas një vendimi të Gjykates Kushtetuese në Janar të këtij viti. Kushtetuesja vendosi rrëzimin e pjesshëm të ligjit të miratuar në muajin Korrik 2023 për studentët e mjekësisë, që do t’i detyronte ata të punonin në vend për një minimum prej pesë vitesh, pa të drejtën e diplomimit.
Të detyruar nga ky vendim, socialistët bën disa ndryshime në ligj, ku studentët e vitit të parë kanë detyrim të punojnë 3 vite në Shqipëri.
Studentët që janë aktualisht në vit të dytë, të tretë dhe të katërt janë të detyruar të punojnë në Shqipëri për 2 vite dhe ata që janë në vit të pestë vetëm një vit.
Propozimet për miratimin e ligjit të mëparshëm u shoqëruan me protesta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë për shkak të detyrimit të punësimit të mjekëve të sapo diplomuar jo më pak se 5 vjet në sistemin shëndetësor shqiptar.
Ligji i ri u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 Korrik 2023 nga Kuvendi i Shqipërisë, pas shqyrtimit të tij nga komisionet parlamentare nëpërmjet procedurës së përshpejtuar.
Pas ankimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit mori vendimin për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit, si dhe përcaktohej të ulej afati i punësimit të detyrueshme të studentëve në Shqipëri pas diplomimit.