Ndryshime në kabinetin qeveritar, Blendi Gonxhja prezanton zëvendësen e tij

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të ketë nga sot një zv.ministre të re. Ajo është Blerta Rama, e cila është kthyer në Shqipëri pas 11 vitesh në emigrim.

Lajmin e bën të ditur vetë Ministri Blendi Gonxhja, i cili shkruan se zëvendësja e tij kthehet në Shqipëri e vendosur të kontribuojë në shërbim të Shqipërisë.

Blerta Rama është diplomuar në Menaxhimin e Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Brescia-s në Itali, duke e specializuar profilin e saj profesional me dy mastera ekzekutivë: një në “Menaxhimin e Transformimit Digjital” në Brescia dhe një tjetër në “Menaxhimin e Projekteve” në Milano.

Postimi i Blendi Gonxhes:

Suksese Blerta Rama, nga sot Zv. Ministre në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – MEKI!

Blerta kthehet në Shqipëri pas 11 vitesh emigrimi dhe përvoje akademike e profesionale jashtë vendit. Ajo kthehet e vendosur, me ëndrrën që misioni i saj në jetë të përkasë me vendin ku u lind, duke kontribuar me kompetencat e saj profesionale në shërbim të Shqipërisë.

Ajo është diplomuar në Menaxhimin e Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Brescia-s në Itali, duke e specializuar profilin e saj profesional me dy mastera ekzekutivë: një në “Menaxhimin e Transformimit Digjital” në Brescia dhe një tjetër në “Menaxhimin e Projekteve” në Milano. Me një profil që i përket botës ekonomike dhe financiare, por njëkohësisht e pasionuar pas politikës ndërkombëtare, në tetor të vitit 2023 ajo mori vendimin për të ndjekur masterin e saj të tretë ekzekutiv në CERIS-ULB Diplomatic School of Brussels në “Politikat Ndërkombëtare”.

Blerta ka përvojë profesionale në Banka Mediolanum, ku ka marrë pjesë në zhvillimin e shërbimeve të projektit fintech “Flowe” dhe ka menaxhuar aktivitete kontabël. Në Deloitte Business Solutions, ajo ka mbajtur rolin e këshilltares financiare në fushën e Teknologjisë dhe Performancës për Institucionet Financiare. Eksperienca e saj e fundit si “Menaxher Financiar dhe Projekti” në Corporate Venture ka qenë thelbësore për krijimin dhe analizën e planeve strategjike për startup-et.