PD shpall Ditë Zie 19 Shtatorin, në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani

Partia Demokratike ka shpallur ditë zie 19 shtatorin, në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani, i cili u nga papritur nga jeta ditën e sotme për shkak të një arresti kardiak.

Gjithashtu janë anuluar të gjitha aktivitetet e PD-së në të gjitha selitë, si dhe janë ulur flamujt në gjysmështizë.

“Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftim.

Ish-deputeti Gerti Bogdani po pinte kafe me miqtë e tij në një hotel në Tiranë kur shfaqi fillimisht probleme me frymëmarrjen. Ai u largua për në tualet dhe nuk u kthye për shumë minuta, ndaj miqtë e tij shkuan të shqetësuar ta kontrollonin dhe e gjetën pa ndjenja të shtrirë në tokë.

Më pas 44 vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë. Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, teksa ngushëllime për të shprehën të gjithë ish-kolegët e tij në Kuvend.