Dosja “Partizani”, Andia Pustina paraqitet në SPAK, merret zyrtarisht e pandehur

Noterja Andia Pustina është paraqitur këtë të mërkurë në SPAK, i është komunikuar akuza zyrtare lidhur me aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Pustina u paraqit në SPAK së bashku me avokaten Klodiana Gjyzarin, e cila mbron edhe Berishën.

Andia Pustina është zotëruese e studios ligjore “Pustina”, në të cilën janë bërë të gjitha kontratat.

Për këtë çështje më herët janë marrë të pandehur edhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi.

Ata akuzohen se kanë tjetërsuar pronat e ish-Klubit Partizani, duke shkelur një zinxhir të tërë ligjesh e procedurash, për t’ia kaluar të dyshuarit Jamarbër Malltezi.

Në dosje thuhet se gjatë procesit të privatizimit, shtetit i është bërë një dëm ekonomik në vlerën 4.3 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në token e cila nga sportive ishte kthyer në tokë ndërtimi.