Zyra Islamaj është komanduar si kryetare e Bashkisë së Tropojës, pasi Rexhë Byberi ndodhet në “arrest shtëpie”, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Ndërkohë PD, ka denoncuar ditën e sotme se pas vendosjes nën këtë masë, Byberi ka kthyer një kafene në zyrë ku firmos shkresa dhe dokumente, mes tyre edhe emërimin e Islamajt.
Zëdhënësja për Anti-korrupsionin në PD, Genta Vangjeli, përmes një deklarate nga selia blu tha se Byberi duke uzurpuar kompetencat e Këshillit Bashkiak si i vetmi organ i cili kryen komandimet në detyrë në rast vakance të kryetarit, ka komanduar në detyrën e kryebashkiakut të Tropojë, zëvendëskryetaren e tij, Zyra Islamja.
Pak ditë më parë GJKKO caktoi ndaj Byberit dhe nënkryetarit të Bashkisë Tropojë Abedin Kërrnaja masën “arrest shtëpie” pasi kanë shkelur ligjin për ndërtimin e dy rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 277. 611.520 lekë.
Sipas SPAK, nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me shtetasin Abedin Kërrnaja me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, kanë miratuar një rregullore për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.