Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot kërkesën e Enkelejd Alibeajt për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë me gjyqtar Agron Zhukrin, e cili vendosi t’ia japë vulën e Partisë Demokratike, Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.
Vendimi i Zhukrit u pranua më pas edhe nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi me vendim të formës së prerë se vula dhe logoja e Partisë Demokratike do t’i kalonte grupit të drejtuar nga lideri historik i demokratëve.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë, gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit të Rithemelimit dhe ia kaloi vulën Sali Berishës, por ky vendim u dërgua në Apel nga Enkelejd Alibeaj. Gjykata e Apelit doli me vendim në datën 3 mars 2023, ku kërkoi që çështja të kthehej sërish në Shkallën e Parë, por “Rithemelimi” bëri rekurs dhe u dërgua në Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit vendosi që ta kalojë sërish çështjen në Apel, por me një tjetër trupë gjykuese, për t’i dhënë fund njëherë e mirë çështjes që mbajti “peng” Partinë Demokratike prej rreth 3 vitesh. Në vendimin e publikuar, Gjykata e Lartë tha se Gjykata e Apelit “nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim”.
Por në 11 Qershor, Apeli mori vendimin përfundimtar, çfarë e bëri zyrtarisht Sali Berishën kryetar të Partisë Demokratike.