Lufta për pushtet!

Teksa pritet të caktohet data e betejës zgjedhore për vitin 2025, dy partitë kryesore në vendin tonë, ajo Socialiste dhe Demokratike, kanë përzgjedhur ekipet që do të drejtojnë fushatat zgjedhore në qarqe.

Me një kryetar në “arrest shtëpie” dhe me një bashkim të brishtë të deputetëve, zgjedhja e drejtuesve politikë nuk kaloi pa debate, pasi pjesa më e madhe e drejtuesve janë po ata që dolën humbës në zgjedhjet e vitit 2021, ndërkohë që nuk është vendosur asnjë drejtuese femër.

E kundërta ndodhi me Partinë Socialiste, pasi në këtë parti, fjala e Ramës është ligj, një ligj që socialistët e respektojnë dhe e zbatojnë më shumë se sa ligjet e Kushtetutës, ndaj nuk mund të kishte asnjë reagim negativ, qoftë edhe nga ata që u larguan nga postet drejtuese.

Demokratët pretendojnë se do të garojnë fort dhe do të arrijnë ta zbresin nga froni kryeministrin Rama, i cili kërkon mandatin e katërt, ndërkohë që ky i fundit jo vetëm që nuk e ka diskutuar fitoren, por u shpreh se demokratët do të marrin një nga rezultatet më të dobëta të historisë së partisë së tyre.

Në listën e drejtuesve politikë, demokratët vijuan t’i besojnë gardës së vjetër, ndërkohë që Edi Rama u dha më shumë besim disa prej kryebashkiakëve, që i vendosi drejtues të fushatave, siç janë Emirjana Sako, Ervin Demo dhe Benet Beci.

“Lufta” më e ashpër do të jetë në Tiranë, pasi kryeqyteti është qarku me më shumë mandate, 36, por që pritet t’i shtojë të paktën edhe 2 të tjerë. Në këtë qark, PD ka zgjedhur Belind Këlliçin, i cili do të ketë përballë Erion Veliajn, Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun.

Durrës, Emirjana Sako e PS dhe Oerd Bylykbashi i PD do të tentojnë maksimizimin e votave për partitë e tyre. Kryebashkiakja me shumë gjasë nuk do të jetë në listën e deputetëve, ndërkohë që Bylykbashi pritet të renditet në pjesën e sigurt të listës.

Shkodra do të jetë një përballje e fortë mes kryebashkiakut socialist Benet Beci dhe nënkryetarit të PD-së, Luçiano Boçit, i vetmi nga demokratët që theu listën në zgjedhjet e vitit 2021. Pavarësisht se Shkodra ka qenë historikisht një bastion i demokratëve, vitet e fundit ka patur një ndryshim kahu, siç u pa edhe në zgjedhjet vendore.

Përmbysjen e rezultatit në Lezhë, Edi Rama ia ka besuar Ulsi Manjës, ministrit i cili di mirë si të marrë rezultatin maksimal me mënyra të ndryshme, siç dolën edhe në përgjimet e dosjes 184. Ndërsa demokratët i kanë besuar edhe këtë herë Agron Gjekmarkajt.

Kukësi me vetëm 3 deputetë dhe me rezultat thuajse të ditur, do të ketë një përballje mes Pandeli Majkos nga PS dhe Flamur Hoxhës nga PD. Qëllimi i Ramës është të arrijë të marrë 84 deputetë, ndaj me siguri Majkos do t’i kërkojë kthimin e rezultatit 2-1 në favorin e socialistëve. Për PD, ruajtja e rezultatit të vitit 2021 do të ishte sukses.

Surpriza e Ramës ishte në qarkun e Elbasanit, një qark problematik, por që i është besuar Arbian Maznikut, ish-krahut të djathtë të Erion Veliajt, tashmë në qeveri si Ministër për Pushtetin Vendor. Përballë tij është Ervin Salianji, një nga deputetët më  të spikatur të demokratëve, ndaj pritet që “lufta” e votave të jetë e ashpër edhe në këtë qark.

Hambari i votave të socialistëve, Fieri, do të ketë një tjetër emër të rëndësishëm të socialistëve si drejtues qarku. Pas Taulant Ballës, tashmë është zv.kryeministrja Belinda Balluku që do të drejtojë fushatën e socialistëve në qarkun e dytë për nga numri i deputetëve. Ndërkohë, demokratët ia kanë besuar këtë detyrë Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar. Pas përballjeve në Parlament, tashmë beteja zhvendoset në rrugët e Fierit.

Korça është e Niko Peleshit prej vitesh, ndaj nuk kishte si të ndryshonte këtë herë, ndërkohë që demokratët do t’i drejtojë Ivi Kaso, një emër surprizë i zgjedhur nga Sali Berisha. Socialistët arritën të fitonin 6-5 në zgjedhjet e kaluara, por me siguri që Rama do të kërkojë edhe një tjetër deputetë për objektivin 84.

Gjirokastër, Mirela Kumbaro dhe Tritan Shehu do të jenë përballë njëri tjetrit me synime të ndryshme. Kumbaro për të ruajtur rezultatin e 2021-shit, ndërsa Shehu për të tentuar marrjen e një deputeti më shumë.

Ervin Demo në Berat ishte një tjetër surprizë e Ramës në listën e drejtuesve politikë, duke treguar besimin që ka te kryebashkiaku, ndërkohë që nga PD do të jetë Eno Bozdo, i rikthyer në jetën aktive politike pas bashkimit me Rithemelimin.

Bledi Çuçit, kryeministri Rama i ka besuar Vlorën, ndërsa Bujar Leskaj do të vijojë të jetë drejtuesi i demokratëve në qarkun ku socialistët do të kërkojnë të kapin 9 deputetë, ndërsa demokratët tentojnë të ngushtojnë diferencën.

Blendi Gonxhja dhe Xhelal Mziu do të përballen në qarkun e Dibrës, ku demokratët arritën të merrnin një deputet më shumë me një diferencë shumë të vogël votash në zgjedhjet e vitit 2021. E tillë pritet të jetë edhe këtë herë beteja, ku diferencën do ta bëjë besimi te kandidatët e të dy partive.

Partia Socialiste

Partia Demokratike