Këshilli i Mandateve mblidhet sot për mocionin e PD për deputetin Vullnet Sinaj

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për deputetin socialist Vullnet Sinaj.

Pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka vendosur mbledhjen e këtij këshilli.

Sipas PD, deputeti i PS-së ka përfituar miliona lekë nga buxheti i shtetit për kompanitë e tij dhe atij duhet t’i hiqet mandati.

Në mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, thuhet se përmes 30 provave shoqëruese, evidentohet se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit.

Deputeti socialist nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.

Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.

Pavarësisht pretendimeve të PD, deputeti Sinaj ka mohuar akuzat. Në një reagim në mediat sociale Sinaj pohoi se ai dhe pagën e jep për bamirësi dhe nuk ka përfituar asnjë Lek nga buxheti i shtetit.