Ishte vjeshta e vitit 2017 kur kryefjalë e zhvillimeve politike në Shqipëri ishte Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm u vu në qendër të vëmendjes dhe akuzave, pas zbulimit të përgjimeve të grupit ndërkombëtar të trafikut të drogës “Habilaj”, ku u akuzua si i përfshirë. Vëllezërit Habilaj po hetoheshin prej 4 vitesh në Itali, ndërsa u provua më pas se ata kishin patur lidhje me Tahirajn.
Në atë kohë rastin e mori Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme ishte ende në detyrë Adriatik Llalla. Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit, duke kërkuar fillimisht heqjen e imunitetit dhe duke ngritur ndaj tij akuza të rënda që e lidhnin me trafikimin e drogës. Çështja kaloi në Kuvend, ku me votat e mazhorancës u votua që Tahirit të mos i hiqej imuniteti i deputetit për arrestimin e tij.
Rama në atë kohë i doli hapur në mbrojtje Tahirit duke u shprehur se duheshin. Madje në 2019 u tha gazetarëve se ata i detyroheshin falje Saimir Tahirit.
Por sot, kur kanë kaluar pak vite nga fillimi i skandalit të Tahirit, i cili para pak javësh doli nga burgu, skandale të tjera kanë përfshirë anëtarë të qeverisë Rama dhe partisë së tij. Një prej tyre që po diskutohet edhe sot është ai i Arben Ahmetajt, ish ministri i Energjitikës, i cili akuzohet për përfshirje në skandalin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.
SPAK ka mbledhur prova të mjaftueshme dhe sot ka kërkuar në Kuvend që Ahmetajt t’i hiqet imuniteti, duke ngritur akuza për arrestimin e tij.
Kësaj here duket se Rama “e ka lëshuar” Ahmetajn, duke mos dhënë asnjë deklaratë në mbrojtje të tij, madje paralajmëroi për pasoja. Në shkurt të këtij viti Rama duke iu referuar ish ministrit tha se “Kush gabon rrugë, ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë gjëra, qëllime të tjera, do ti dalë për zot vetë pastaj”.
Ahmetaj iu përgjigj duke thënë se nuk i kishte kërkuar asnjëherë ndihmë Edi Ramës por ai s’duhet të bëjë gjykatësin, por kryeministrin, duke konfirmuar kështu se marrëdhënia mes të dyve ishte përçarë. . I konsideruar si një nga më të besuarit e kryeministrit Edi Rama, pas një ngjitje në majat e politikës shqiptare, duke u emëruar në shtatorin e 2021 zv kryeministër dhe ministër i Rindërtimit, Ahmetaj e humbi shkëlqimin e tij shumë shpejt. Korrikun e kaluar , Rama e largoi nga qeveria, e më pas edhe nga detyrat brenda partisë socialiste.
Kjo tregon se edhe vendimi që pritet nesër për Ahmetajn nga Këshilli i Mandateve do të jetë në dëm të tij, pasi ish kolegët pritet t’i heqin imunitetin, duke treguar kështu se Rama vendos me dy standarde.
Megjithatë nuk dihet nëse do të veprohet ashtu si me Tahirin, i cili u dënua me 5 vite burg por qëndroi vetëm 1 vit e pak muaj pas hekurave.