I dënuar përjetë për vrasjen e 4 policëve, Dritan Dajti depoziton një tjetër kërkesë për lirim nga qelia

Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në 2009-ën, i është drejtuar me një tjetër kërkesë Gjykatës së Elbasanit duke kërkuar lirinë pasi sipas avokatëve të tij po mbahet në burg teksa i ka mbaruar dënimi prej 25 vitesh.

Avokatët e tij pretendojnë lirimin në kushtet kur, sipas tyre, nuk ka urdhër ekzekutimi për vendimin e Gjykatës së Lartë që ktheu dënimin me burgim të përjetshëm për Dajtin.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e dhënë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda që e dënoi Dajtin me burgim të përjetshëm si autorin e dyshuar të vrasjes së 4 efektivëve të Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër IEVP Peqin i është drejtuar SPAK me një kërkesë për urdhër ekzekutimi për vendimin e Gjykatës së Lartë ndaj Dajtit, por kjo e fundit ja ka ngarkuar Prokurorisë së Elbasanit.

Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e policëve Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj gjatë një operacioni policor për arrestimin e tij neDurrës, ngjarje që mori përmasa tragjike.