Euro e ka nisur edhe këtë javë me rënie në kursin e këmbimit me lekun.
Monedha europiane u këmbye në pikat e këmbimit valuator me 99.3 lekë në shitje, ndërsa në blerje me 100 lekë.
Megjithëse rënia e ditës së sotme nuk ishte në vetvete shumë më e ulët se dje dhe javën e kaluar, ajo ka një domethënie për sa i takon rekordeve statistikore, sepse e çoi kursin e euros në një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.
Sipas ekspertëve, deri në fund të muajit gusht nuk pritet të ketë rikuperim të monedhës evropiane.
Rënia e fortë e euros në kursin e këmbimit valutor ka ndikime të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Kjo rënie i bën më të lira importet e mallrave dhe të shërbimeve. Leku i fortë ka luajtur një rol të konsiderueshëm në zbutjen e presioneve inflacioniste nga jashtë dhe ka ndikuar, pjesërisht, në një nivel më të ulët të inflacionit krahasuar me shumicën e ekonomive rajonale dhe europiane.
Por, nga ana tjetër, forcimi i monedhës vendase ka një ndikim negativ për sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve. Në teori, një forcim i monedhës vendase e ul konkurrueshmërinë e bizneseve që i shesin mallrat dhe shërbimet në valutë të huaj, sidomos në sektorin e fasonerisë